Kumbulla: Më çmend ndjenja e të qenit shpëtimtari i fundit, ju tregoj pikën time më të dobët

Marash Kumbulla është një prej yjeve të rrallë të rënë në duart e kombëtares sonë. 20-vjeçari i Veronës ka arritur të jetë një lojtar i kërkuar nga gjysma e Europës, pas vetëm disa muajsh në arenën e madhe të futbollit. I riu është një shënjestër e vazhdueshme për mediet italiane, që e intervistojnë shpesh. Së fundmi mbrojtësi ka folur për mikrofonët e “SportWeek”, ku prek çështjen e atdheut, të preferuarit dhe ndjenjën e të qenit mbrojtës.

TË JESH MBROJTËS- Më pëlqen të jem mbrojtës. Më pëlqejnë duelet, madje edhe ato në ajër dhe kontakti fizik. Nuk ka asgjë më të kënaqshme se sa një shpëtim nga goli nga njeriu i fundit, që mund ta bëjë atë. Kur luaj jam shumë i përqendruar, i ftohtë dhe i vendosur. Këto janë të gjitha elemente të karakterit tim. Unë vërej kur luaj ‘PlayStation’ ose me miqtë për shembull, nëse fitojnë, ata brohorasin dhe nëse humbasin, dëshpërohen, por unë kurrë nuk e humbas toruan. Limiti im më i madh është ‘këmba e dobët’. Duhet të përmirësohem me këmbën e majtë.

JURIÇ DHE PACINI- Mister Juriç është një çekiç, punëtor i fortë dhe di si t’i stimulojë lojtarët që t’i bëjë ata të paraqiten më mirë. Ai më dha aq shumë, më bëri të rizbuloja furinë konkurruese që vitin e kaluar, për shkak të dëmtimeve, unë e kisha humbur disi. Në stërvitje Pacini më jep shumë këshilla se si të ndaloj sulmuesit. Të jap një shembull, duke folur për kundër-lëvizjen, ai më mësoi të mos qëndroja shumë pranë tyre për t’i parandaluar ata të përfundojnë lëvizjen dhe të ikin nga unë.

TË PREFERUARIT DHE KOMBËTARJA- Që nga fëmijëria e kam admiruar shumë Kielinin për shpirtin e tij konkurrues. Tre mbrojtësit më të fortë sot? Van Dijk me forcën e tij fizike, Serxhio Ramos për përvojën dhe vendosmërinë dhe De Vrij për aftësitë e të lexuarit të situatave. Kam zgjedhur të luaj me Kombëtarja shqiptare sepse e gjithë familja ime është dhe unë gjithashtu ndihem shqiptar.

NDRYSHIMI- A kanë djemtë shqiptarë një mentalitet tjetër? Është çështje e stimujve, ata zakonisht vijnë nga situata më të vështira sesa ato në të cilat rriten djemtë italianë dhe për të dalë jashtë saj ata kanë nevojë për një uri të veçantë dhe dëshirë”, përfundoi talenti. /vipsport.al/