Kukësin e ndalon qeveria të zbresë në fushë, anulohet miqësorja e nesërme me Turbinën

Kukësi është vendosur në Elbasan për tu stërvitur dhe pas disa ditësh përgatitje intensive, trajneri Oreges Shehi do të kishte mundësinë të shihte gjendjen e skuadrës së tij në një ndeshje të plotë. Klubi cërrikas i Turbinës në mesin e kësaj jave njoftoi se kishte planifikuar një miqësore me verilindorët në stadiumin “Nexhip Trungu” ditën e nesërme në orën 17:00.

Por kjo nuk do të ndodhë dhe një lajm të tillë e jep vetë klubi organizator. Turbina ka dalë me një deklaratë në rrjetet sociale, ku njofton anulimin e ndeshjes miqësore për shkak të rregullit të vendosur nga qeveria, ku dita e nesërme do të jetë tërësisht e mbyllur. Cërrikasit nuk i dorëzohen rregullave të autoriteteve, por njoftojnë një tjetër miqësore, kësaj here me Partizanin të mërkurën e ardhshme.

“Për shkak të masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, ndeshja e planifikuar ditën e nesërme është anuluar, sepse e diela është caktuar si ditë pushimi dhe asnjë automjet nuk do të lëvizë. Të mërkurën është planifikuar një ndeshje tjetër miqësore, me ekipin e Partizanit”, shkruhet në deklaratën e Turbinës në rrjetet sociale. /vipsport.al/