“Kam djalin 5 vjeç, COVID-19 rrezikon minoritetet”, kapiteni i Uotford refuzon kthimin në stërvitje

Kthimi në stërvitje i skuadrave të Premier Ligës nuk është pritur kudo me entuziazëm nga lojtarët. Shumë prej tyre kanë ende dyshiem nëse duhet vazhduar sezoni dhe një nga më të shqetësuarit ka qenë kapiteni i Uotford, Troi Dinei. Ky i fundit ka refuzuar të dalë në stërvitje pasi nuk dëshiron që të rrezikojë jetën e familjarëve të tij pasi rezulton se koronavirusi godet më rëndë minoritetet.

Shoqata e Futbollistëve Profesionistë në Angli kërkoi që Premier Liga të bënte studime të mirëfillta mbi impaktin e COVID-19 mbi lojtarët që u përkasin minoriteteve etnike. Të dhënat zyrtare në Angli treguan se njerëzit me ngjyrë ishin thuajse dyfish më të rrezikuar nga COVID-19. “Nuk dua të rrezikoj familjarët e mi, kam djalin 5-vjeçar në shtëpi”, ishin fjalët e Dinei i cili mungoi në stërvitje edhe pse të gjitha klubet ranë dakord të hënën që të ktheheshin në fushë pas testimeve.

Tashmë mbetet të shihet si do të vendoset për vazhdimësinë, pasi shqetësimë të tilla janë ngritur edhe nga lojtarë të tjerë me ngjyrë, të cilët duan të jenë të sigurt se nuk rrezikojnë duke zbritur në fushën e lojës, sidomos në këtë periudhë kur virusi vazhdon të shpërndahet me shpejtësi në Angli. /vipsport.al/