Ish-portieri i Vllaznisë siguron: Valon Berisha është objetivi kryesor nëse mbijetojmë në Bundesligë

Valon Berisha është kthyer përsëri në fushën e lojës me Fortuna Dyseldorf duke mos ditur se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e tij. Lojtari i Kosovës është huazuar nga Lacio te klubi gjerman dhe po bën mjaft mire duke luajtur rregullisht në Bundesligë, por kontrata e tij përfundon më datë 30 qershor e pastaj duhet të kthehet në Itali.

Megjithatë, sipas drejtorit sportiv të Fortunas, Lutz Pfanenshtil, ish-portier i Vllaznisë në të kaluarën e tij, po diskutohet ideja e blerjes së kartonit të mesfushorit të Kosovës.

“Berisha po paraqitet shumë mirë”, tha ai në një intervistë për mediat italiane. “Ai ka rritur nivelin e skuadrës. Nëse do të mbijetonim, qëndrimi i tij do të ishte objektivi kryesor i klubit. Por nuk duam të ushtrojmë të drejtën e blerjes në kontratë, kriza na ka goditur edhe ne ndaj Lacio në këtë rast duhej të gjente gjuhën e përbashkët. Mes të tjerave, edhe ai ka një rrogë të lartë për standartet rona, ndaj edhe ai do të duhej të tregonte që dëshiron të qëndrojë duke bërë një sakrificë”, tha Pfanenshtil. /vipsport.al/