Ish-drejtori i Partizanit dhe tani pjesë e Veronës, Dervishi: Futbolli duhet të rifillojë, do duhen mbi 3 javë stërvitje

Ish-drejtori i Partizanit dhe tashmë pjesë stafit të Veronës në Serinë A, Dritan Dervishi shprehet se futbolli duhet të rifillojë pasi është një sport popullor, ndërsa në Shqipëri është më e lehtë se në Itali. Në një intervistë për “Syri Tv”, Dervishi thekson se në Italia, gara nuk do të ndërpritet pasi në lojë janë shumë interesa ekonomikë. Ndërkaq, Dervishi shprehet se futbollistëve do t’iu duhen mbi tre javë për të rigjetur formën.

Shqipëria në situatë më të lehtë se Italia-“Është e vështirë në Itali të flitet për normalitet të futbollit. Shqipëria nuk ka shumë raste të prekura krahasuar me Italinë, këtu situata është shumë e rëndë. Në fazën e parë ne ishim të izoluar plotësisht. Kishim si qëllim të izolonim lojtarët dhe të stërviteshin në shtëpi kurse rasti në Shqipëri është më ndryshe pasi nuk ishit shumë të goditur nga koronavirusi”.

Rikthimi i futbollistëve, problematika- “Futbolli duhet të rifillojë pasi është sport popullor. Por gjithçka duhet të rifillojë me një siguri totale, pasi kush do të mbajë përgjegjësi nëse lojtarët infektohen”.

Problematika në Itali- “Na qëlluan disa lojtarë pozitiv me koroanvirus dhe u izoluam të gjithë. Ne si klub i dërguam të gjithë futbollistët në shtëpi dha ata vijuan stërvitjen. Në Itali nuk flitet të ndërpritet futbolli pasi janë shumë interesa të mëdha dhe askujt nuk i shërben anulimi i futbollit. Verona nuk ka ulur pagat ka paguar të gjithë lojtarët nuk kemi probleme financiare”.

Stërvitja në shtëpi- “Dëgjova një doktor që tha 20 minuta të zhvillohet një pjesë. Kjo është e pamundur pasi rregullorja është e qartë pasi duhet të luhen 45 minuta. Lojtarët kanë nevojë për stërvitje pasi do të rikthehen me rrezikun e madh për të pasur probleme fizike. Data 3 qershor është pak shpejt do të isha dakord që futbolli të niste në datën 10 qershor. Është shumë e vështirë dhe e komplikuar si kohë për të bërë stërvitje. Shumë e vështirë do të jetë dhe duhet mbi 3 javë stërvitje që lojtarët të rikthehen në formë të mirë fizike”, u shpreh Dervishi. /VipSport.al/