Intervista për “Vipsport”, Qarri: Në Vlorë duhet të besojnë te vendasit, qëndroj këtu edhe sezonin tjetër

Ka tri sezone si pjesë e Flamurtarit, ndërsa këtë edicion edhe për shkak të problemeve financiare apo dhe largimeve që ndodhën në verë, 21-vjeçari Mateo Qarri ka zënë vendin stabël duke u kthyer në një nga titullarët e rëndësishëm të skuadrës kuqezi. Por, ajo që është e çuditshme, ka të bëjë me faktin, se sa herë ka krizë në Vlorë, drejtuesit thërrasin në ndihmë të rinjtë nga skuadrat U-19 dhe U-17.

Flamurtari duket drejt rrugës pa kthim të Kategorisë së Parë, ndërsa Mateo Qarri ka theksuar se nuk do t’i tradhëtojë kuqezinjtë edhe sezonin e ardhshëm, ndërsë në një intervistë për “VipSport”, në prag të rifillimit të pjesës së mbetur të garës., Mateo Qarri tregon edhe periudhën e karantinës, kushtet e stërvitjes apo dhe strategjinë e gabuar me të rinjtë…

-Qarri, si ka qenë periudhë e karantinës për ju?

Periudha e karantinës për mua ka qenë e vështirë, jo vetëm për mua, por edhe për shumë futbollistë të tjerë sepse na mungon futbolli. Për fat të mirë, unë jetoj në një fshat të Vlorës edhe jam stërvitur pothuajse çdo ditë.

-Si ka mundësi që në Vlorë sa herë ka krizë apo mungesë financash besojnë te të rinjtë që mund të jenë shumë më mirë se të huajt që veshin fanelën kuqezi?

Nuk mund të flas për këtë pjesë, por mund të them që jemi disa djem vlonjat të rinj që po na jepet mundësia dhe duhet të japim maksimumin tonë, të tregojmë vlera duke ndihmuar skuadrën ose më saktë ta prezantojmë sa më denjësisht Flamurtarin deri në vërshëllimën e fundit, por natyrisht që edhe neve do të na vlejë shumë për t’u rritur profesionalisht.

-Nëse Flamurtari bie nga Superiorja, do të vijoni të jeni pjesë e ekipit, nëse ju vijnë oferta?

Sigurisht që do të qëndroj te Flamurtari sezonin tjetër, ndonëse është herët për të folur sepse kemi të tjera synime. Megjithatë të shohim…

-Qarri, më në fund rifillon futbolli, nga nesër stërvitje në gruep dhe në 3 qershor ndeshjet zyrtare. A është e mjaftueshme diçka më shumë se dy javë për t’u përgatitur për të përballuar pjesën e mbetur të sezonit?

Realisht mendoj se është kohë shumë e shkurtër për t’u stërvitur, do duhej edhe pak më shumë kohë që të hyjmë në ndeshje me 100% tonë. Kjo ishte një ndërprerje e pazakontë dhe ne jemi stërvitur në kushte rrethanore, ndryshe si ndodh kur kemi pushime vere apo dimri. Por, shyqyr që rifilloi futbolli na ka munguar shumë dhe shpresoj që të mos ketë më ndërprerje për situate të atilla.

Intervistoi: Erjon Saliu/Vipsport.al/

more recommended stories