Intervista për VIP Sport, Martini: Prisnim me padurim kthimin. Titulli? Të rëndësishme dy ndeshjet e para

Mbledhja e sotme në FSHF nuk ka parë të diskutojnë për rifillimin e kampionatit vetëm presidentë klubesh, administratorë apo drejtorë sportiv. Mes tyre si përfaqësues i Teutës ishte edhe Edi Martini, trajneri i durrsakëve, i cili ka dashur që të ndjekë nga afër zhvillimet më të fundit sa i përket të ardhmes të ekipit të tij që të jetë gati për çdo eventualitet.

Martini tregon për VIP Sport se pret me padurim kthimin në fushë si gjënë më të drejtë, edhe pse në teori për Teutën do të kishte qenë më mirë nëse kampionati do të ndalej tani. Trajneri shkodran i durrsakëve beson gjithashtu se kush ka zbatuar me rigorozitet udhëzimet e klubit gjatë kësaj periudhe ndalese, nuk do të ketë probleme pavarësisht kohës së shkurtër stërvitore para rifillimit të kampionatit.

Në mbledhjen e sotme në FSHF u vendos që kampionoti do të rifillojë. Keni qenë ndër të parët që insistuat për një gjë të tillë…
Me zor presim që të dalim në fushë, që të vazhdojë kampionati e të mbyllet ky sezon. Nuk kemi çfarë të themi më tepër tani.

A ia vlen realisht të vazhdojë kampionati pas kësaj ndërprerje të gjatë?
Normalisht ia vlen të vazhdojmë. Do të kisha qëne shumë komod që të mbyllej se do të mund të luaja në Kupat e Europës. Por them gjithmonë që futbolli duhet luajtur në fushë.

Por shumë drejtues klubesh argumentuan se ka pak kohë në dispozicion të lojtarëve për t’u përgatitur si duhet…
Ne kemi punuar individualisht në aspektin fizik me lojtarët. E përsëris që mua më interesonte si klub të mbyllej se me këtë renditje do të shkonim në Europë. Por normalisht koha nga 18 deri më 3 është e mjaftueshme se futbollistët tanë nuk janë më amatorë, ata janë profesionistë, janë stërvitur në kushte individuale por nuk kanë marrë peshë në këtë periudhë dhe janë në gjendje fizike për ta përballuar. Ndaj mendoj se janë kushtet e duhura në këtë periudhë kohore që ekipet të marrin veten derisa të fillojnë ndeshjet.

SI ju duket protokolli shëndetësor me të cilin duhet bashkëjetuar deri në mbyllje të këtij sezoni?
Janë gjërat e qarta, ne themi që janë mëse të domosdoshme të bëhen por janë gjëra që edhe realizohen. Nuk ka ndonjë gjë të madhe. Edhe pse them se në Shqipëri kemi 31 persona të vdekur, me gjithë respektin, nuk mund të krahasohemi me botën që ka me qindra apo mijëra në vende të ndryshme e gjëja është më alarmante. Janë masa të realizueshme, një ekip mudn t’i krijojë gjërat edhe pse sa jeni ne të gatshëm për t’i zbatuar dhe sa do zbatohen është gjë tjetër. Por e përsëris që janë të gjitha gjëra të realizueshme.

Duket se të gjithë e cilësojnë kampionatin thuajse të mbyllur me Tiranën kampione. Apo nuk është kështu?
Nëse do të kishim qenë me kampionatin në vazhdim, Tirana do ta kishte pasur shumë më të lehtë titullin, sepse ishte në gjendje të mirë, po arrinte të merrte rezultate njëra pas tjetrës, ndërsa Kukësi kishte oshilacionet e veta. Sot që ne flasim, pas kësaj shkëputje, do të jenë shumë përcaktuese dy ndeshjet e para. /E.Kuka/vipspot.al/

more recommended stories