Ibrahimi: Ja pengu me Partizanin, titulli data më e bukur e jetës

Për gjashtë sezone, mbrojtësi i djathtë Labinot Ibrahimi ishte një nga më të spikaturit në radhët e skuadrës së Partizanit, por në fund u shpërblye me titullin kampion.  Ibrahimi ka një peng përsa i përket largimit nga Partizani dhe këtë e theksoi në intervistën e tij për “Fan Zone”, ndërkohë që nënvizoi se në datën 18 qershor do të vendoset në Kosovë nëse do të rinisë apo jo IPKO Superliga. “Te Partizani kalova 6 vite shumë të bukura, familja e kuqe është e veçantë, por tani jam ambientuar edhe te Prishtina”.

Titulli

“Labi” e kujton ende me nostalgji titullin kampion me të kuqtë, teksa ndalet dhe thote se: “12 maji, titulli i Partizanit? Kjo është data më e bukur për të gjithë njerëzit te Partizani. Të shpallesh kampion pas 26 viteve është shumë e bukur. Për mua ajo do jetë data më e bukur e jetës sime. Të them drejtën ndjej keqardhje që e shikoj Partizanin në këtë gjendje. Largimi nga Partizani? Pengu i vetëm ishte që të luaja atë ndeshjen e Superkupës, por u vendos shpejt e shpejt dhe nuk mund të bëja diçka tjetër pastaj”.

Ofertat

“Ofertë nga rivalët e Partizanit? Për momentin jam i fokusuar te Prishtina. Në jemi profesionistë dhe futbollit nuk i dihet. Nëse i plotësojnë kushtet, pse jo?!”

Rikthimi

“Rikthim te Partizani? Do respektoj kontratën me Prishtinën, më pas do flas me drejtuesit e Prishtinës, nëse më jepet mundësia te rikthehem tek të kuqtë do pranoja. Kjo është në dorën e drejtuesve nuk është në dorën time”.

Pandemia

“Ne i kemi marrë të gjitha masat dhe jemi stërvitur në distancë. Unë gjithmonë kam luftuar për titull. Prishtina lufton për dy frontet. Prishtina është gjithmonë gati dhe pritet rinisja e kampionatit”, – u shpreh Ibrahimi në fundin e prononcimit të tij.

E.S./Vipsport.al/