I njëjti problem si në Shqipëri, klubi i Prishtinës i dërgon mesazh qeverisë për rinisjen e kampionatit

Edhe në Kosovë, ashtu si në Shqipëri akoma nuk është vendosur një datë për rinisjen e futbollit dhe klubet bashkë me Federatën po ushtrojnë presion të vazhdueshëm për të marrë një “po” për përfundimin e kampionatit në fushën e lojës. Klubi i FC Prishtinës ditën e sotme ka publikuar një shkrim, drejtuar organeve të qeverisë në lidhje me rinisjen e kampionatit.

Ky klub merr shembull vendet e rajonit si Kroacia dhe Serbia, që kanë vendosur datat e rinisjes dhe kanë filluar stërvtjen prej kohësh. Duke parë këta shembuj dhe numrat e Kosovës në të prekur dhe viktima klubi i Prishtinës e sheh të papërshtatshme ndalimin e futbollit në Kosovë. Kështu, ata i kërkojnë qeverisë të marrë vendimin e rifillimit, që sipas tyre, do të dërgonte një mesazh të qartë në mirëmenaxhimin e pandemisë nga ana e Kosovës.

Për momentin kampionatin kosovar e kryeson Ballkani pas 22 javësh, me Prishtinën që është në vendin e katërt, vetëm tre pikë nga skuadra e Ismet Munishit. /vipsport.al/

POSTIMI I FC PRISHTINËS:

Me rifillimin e Superligës, Kosova jep shembull për menaxhimin e pandemisë

Parimi i UEFA-së është gjithmonë që ndeshja dhe fituesi i garave të shpallët në fushën e blertë. Andaj edhe për këtë arsye reagimi i tyre ishte i ashpër ndaj pak atyre shteteve që kanë vendosur të ndërpresin kampionatet.

Në vazhdën e kësaj fryme, si shtetet më të prekura nga pandemia si Spanja dhe Italia, e për Gjermaninë mos të flasim që do të rifillojë e para më 15 maj, kanë vendosur që patjetër të vazhdoj kampionati. Po ashtu edhe shtetet e rajonit, e sidomos shembullin më të mirë kanë dhënë vendi i nënkampionëve botëror, Kroacia.

Edhe pse me mbi 2.100 raste më të infektuar dhe me 86 humbje jetësh, nuk ka pasur asnjë skuadër kroate, jo se jo analist sportiv, që ka kërkuar të ndërpritet futbolli dhe nga moszhvillimi i saj të përfitoj ndonjë klub eventualisht.

Me ndihmën e shtetit kroat, të institutit të tyre të shëndetësisë, pas takimit me krerët e federatës dhe klubeve kroate, ato njëzëri janë pajtuar se tre testet e parapara për futbollistët janë barrë e madhe për klube, ato do të reduktohen në maksimum, por me masa normale të parapara nga rekomandimet, me çka kampionati do të rifilloj më 30 maj e do të përfundoj me ndeshjen e barazhit më 5 gusht. Njëjtë kampionatin do të vazhdojnë edhe fqinjët tanë verior të cilët janë më të infektuarit në rajon me afër 10.000 të diagnostifikuar dhe 206 humbje jetësh.

Duke iu kthyer realitetit tonë dhe sipas statistikave si vendi i 4-të më i miri me menaxhimin e kësaj pandemie.

Instituti i Shëndetësisë Publike, FFK-ja, Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria jonë, do të jepte edhe një shembull para botës se vendi ynë mund të ia dal edhe në rinisjen dhe përfundimin e kampionatit të Superligës në fushën e blertë.

Po ashtu, duke marrë parasysh se klubet tona, pjesën më të madhe të buxhetit të saj e mbushin nga garat ndërkombëtare, do të dëmtoheshin jashtëzakonisht shumë dhe po ashtu do të qonte shumë pluhur, dhe nuk do të kishte rregullsi me çfarë do metode tjetër nëse do të vendosej për plasmanin në Evropë.

Andaj, FC Prishtina, futbollistët e saj, janë unik në qëndrimin, që shteti duhet të toleroj, të ndërmarr masa që të rinisë futbolli në Superligën tonë.

Për fund, nuk duam t’ua potencojmë se sa është e dëmshme shkenctarisht që një futbollist të jetë pa aktivitet dhe pa lojë futbolli për më shumë se një muaj, e lëre më gjashtë apo shtatë muaj.

Pra, kërkojmë me ngulm mirëkuptimin e organeve gjegjëse që të bëjnë maksimumin që sa më shpejt të marrin vendimin për nisjen e kampionatit të Superligës, kuptohet me masat që do të përfilleshin nga rekomandimet gjegjëse.