Hyka: Tani nuk është momenti, por kur të vijë, do vishem bardheblu

Jahmir Hyka ka udhëtuar në një sërë ekipesh rreth globit, por fillimet e tij i ka si bardheblu. Mesfushori nga Tirana ka dalë nga akademia bardheblu dhe ka bërë shumë mirë në hapat e tij në karrierë para se të kalonte në Zvicër e më pas në Gjermani, ku kaloi disa sezone me Mainz. Para disa ditësh presidenti i Tiranës, Refik Halili zbuloi se bardheblutë i kanë bërë një ofertë Hykës, që për momentin nuk ka pranuar, por ai për “Player on Focus” deklaron se do kthehet te Tirana, por tani nuk është momenti i duhur. Aktualisht 32-vjeçari aktivizohet në Izrael.

“Synimi im është të vazhdoj të luaj jashtë Shqipërisë edhe për disa kohë. Me Tiranën kam pasur dhe kam marrëdhënie shumë të mira, kështu që nëse unë do të vendos një ditë të rikthehem në Shqipëri, besoj se do të jetë ekipi i parë me të cilin do të bisedoj. Në futboll nuk mund të bësh plane, aq më tepër me këtë situatën e krijuar tani, por shpresoj të jemi mirë me shëndet në rradhë të parë dhe të mos kemi dëmtime.

Kam dëshirë që të luaj futbolli sa më gjatë që të jetë e mundur. Kam edhe një këshillë për lojtarët e rinjë. Ndonjëherë talenti nuk mjafton që të bëhesh një lojtar i mirë duhet shumë punë, sakrificë dhe vullnet për të arritur atë që doni. Prandaj ata duhet të punojnë shumë dhe të mos mjaftohen vetëm me talentin”, u shpreh Hyka. /vipsport.al/

more recommended stories