Hoxhaj: Peng i madh dështimi i transferimit te Pas Janina, Bylisi rriti pretendimet në fund

Flamurtari i këtij sezoni është një nga skuadrat më të dobëta të Kategorisë Superiore, shkaktuar kjo nga problemet për pronësinë mes bashkisë dhe presidencës. Sezoni i ardhshëm do të jetë në Kategorinë e Dytë dhe nga skuadra pritet të largohen disa lojtarë, që edhe këtë sezon kishin “ngecur” aty për shkak të kontratave. Një prej tyre është Ardit Hoxhaj, i cili në “Super Sport” paralajmëron se nëse nuk ka një projekt serioz, do të largohet.

PENGU I KARRIERËS– Pengu im ky është, që nuk kalova te Pas Janina. Shkova atje, kur ekipi po përgatitej për kupat e Europës. Ishte arritur paraprakisht marrëveshja për 30 mijë euro dhe 50 për qind të kartonit. Do të luaja direkt në Europë sepse trajneri më pëlqente dhe më kishte programuar në formacion. Presidenti i Bylisit rriti pretendimet dhe nuk u arrit marrëveshja, ky është pengu im.

MUNGESA E MOTIVIMIT- Të respektojmë fanellën e Flamurtarit. Nga bisedat që kemi patur me shokët kemi menduar pse të mos luhet kampionati dhe të tregojnë vlerat tona. Rëndësi ka të jemi të kërkuar në merkato, pak rëndësi ka nëse do të qëndroj te Flamurtari apo do të shkoj diku tjetër. Fryma e grupit na ka mbajtur që jemi akoma këtu.

E ARDHMJA- Sa i përket merkatos, gjëja e parë që do të bëj pasi të përfundojë kampionati do të flas me presidentin. Nëse do të kemi projekt serioz, pse të mos qëndroj të Flamurtari, në të kundërt do të marrim vendime të tjera.

KALIM JASHTË VENDIT- Para katër a pesë ditësh kisha një bisedë me Andi Lilën dhe po flisnim për të kaluarën. Sa keq që nuk kalova te Pas Janina. Ai më pyeti sa vjeç jam, 25 i thashë. Në këtë moshë, më tha Andi, kam ikur jashtë Shqipërisë, nuk është kurrë vonë. /vipsport.al/