Hallaçi: Për titullin çdo gjë e hapur, ëndërr të jem trajner i parë te Kukësi

Rrahman Hallaçi është një nga ata që ka kontribuar shumë për Kukësin në kohën kur ishte ende futbollist, megjithatë dashurinë e tij për qytetin e vendlindjes nuk e ka harruar dhe vazhdon të jetë pjesë e verilindorëve në rolin e zëvendëstrajnerit. Në një prononcim për “Fan Zone” në Supersport, ish-kapiteni është shprehur se ëndërron të jetë trajneri i parë i Kukësit, ndërsa beson te titulli kampion duke besuar edhe te presioni që do t’i duhet të përballojë Tirana.

Trajneri I Kukësit? “Ëndrra ime ngelet që të jem trajneri i parë i Kukësit pasi kam dhënë gjithçka për këtë skuadër. U bë dy vite e gjysmë që jam zv/trajner dhe shpresoj të vijë dita të bëhem trajneri i parë. Të jesh trajner dhe lojtar është shumë ndryshe pasi ke të bësh me 25 lojtarë dhe jo me një orë e gjysmë stërvitje. Është një rrugë e shpresoj të jem një ditë trajner i parë”.

A do të jenë të gjithë lojtarët në 18 maj? “Duke parë situatën e sotme, stafi po bën punën për të sjellë të gjithë lojtarët në stërvitje. Jemi munduar duke u stërvitur online e shpresojmë të stërvitemi të gjithë bashkë. Ishte një kohë e vështirë dhe lojtarëve u duhet të qendrojnë disa ditë në shtëpi dhe kjo nuk do të jetë e lehtë”.

Diferenca me Tiranën? “Ndeshje ka, pikët janë aty dhe do të bëjmë maksimumin pasi Tirana nuk e ka siguruar titullin. Edhe ne po të ishim 9 pikë larg do të ndienim presionin dhe titulli kampion është i hapur dhe kemi mundësi të fitojmë pasi grupi është ndërtuar për të dalë kampion”.

Marrëdhënia me Gjicin? “Presidenti Gjici është kryetar bashkie dhe është marrë me punët atje. Ai ka stilin e tij për të karikuar skuadrën dhe nuk kemi presion. Gjici është gjithmonë me skuadrën me shpirt dhe me zemër dhe ka bërë maksimumin. Ne besojmë te titulli dhe kemi mundësinë. Ne nuk jemi stërvitur në fushë e nuk e di nëse e kanë bërë klubet e tjera apo jo. Nuk është mirë të dalim jashtë duke thyer rregullat pasi kjo është për të mirën tonë”, u shpreh Hallaçi. /VipSport.al/

more recommended stories