Futbollistët e Bylisit optimist: Mund të shkojmë në Europë, ne jemi ekip që vrapojmë shumë

Para se të ndërpritej kampionati, Bylis nuk po kalonte një formë të mirë. Madje, ballshiotët nga zona e lartme e tabelës përfunduan në atë të poshtmen. Mirëpo, tashmë me rifillimin e kampionatit, mallakastriotët shpresojnë të rigjejnë formën e tyre më të mirë, ndërsa Qardaku e Hadroj në një prononcim për RTSH Sport besojnë edhe te një vend në Kupat e Europës, të cilën përveç kampionatit kanë mundësi ta arrijnë edhe nëpërmjet Kupës ku në çerekfinale përballen me Skënderbeun.

Qardaku: “Besoj se për çdo sportist ndalimi i kampionatit nuk ishte diçka e mirë, por normalisht kaq kohë sa kemi do të stërvitemi fort që të arrijmë aty ku ishim. Të arrijmë rezultatet që kemi nevojë dhe të arrijmë objektivat tonë. Europë është vetëm tre pikë larg dhe çdo gjë është e mundshme dhe besoj se do ia dalim”.

Hadroj: “Pauza padyshim nuk ka ndikuar për mirë pasi kemi bërë vetëm stërvitje individuale, por tani që jemi me ekipin e plotë besoj se do të gjejmë ritmin e duhur për pikët që kemi humbur. Koha në dispozicion? Normalisht nuk mjafton pasi janë vetëm dy javë. Shpresoj të dalim mirë në këto ndeshje që kemi sepse jemi ekip që vrapojmë shumë dhe këtë e kemi genetike”. /VipSport.al/