Egbo: Nuk do jemi ata të para pandemisë, më shqetëson çështja e dëmtimeve

Tirana ka ardhur në momentin më të mirë të dekadës së fundit dhe është shumë pranë përsëritjes së titullit të vitit 2009. Bardheblutë janë 9 pikë larg nga Kukësi kur nevojiten edhe 10 ndeshje për të përcaktuar fatet e Kategorisë Superiore. Arkitekti i kësaj ecurie dhe ai që i solli Tiranës edhe fatin me vete është pikërisht Emanuel Egbo. Trajneri i kryeqytetasve ka dhënë një intervistë për “Super Sport”, ku ka folur rreth situatës së pazakontë, dëmtimeve apo arritjes së formës së para pandemisë.

STËRVITJA– “Më në fund kthehemi në fushë. Është një çlirim për të gjithë futbollistët e kampionatit dhe Tiranës. Ka filluar zyrtarisht stërvitja dhe kampionati. Lojtarët janë stërvitur individualisht, por kemi nisur stërvitjen zyrtare, ashtu siç kemi punuar para nisjes së kampionatit. Mendoj se është një ndjesi e mirë për të gjithë, sepse po kthehemi në punë për të bërë atë që dimë të bëjmë më mirë”.

FRIKA NGA DËMTIMET– “Nuk ekziston asnjë plan që mund të arrijmë atë që duam, pra të çojmë futbollistët në nivelin që i kishim para mbylljes së marsit. Pashë edhe statistikat e Bundesligës ditën e shtunë. Nga gjashtë ndeshje ishin dëmtuar tetë lojtarë. Ata kanë një muaj e ca stërvitje dhe janë në këtë gjendje. Kemi edhe 13 ditë për t’u stërvitur, por kjo është jeta, këto janë kushtet për të gjithë. Do të bëjmë më të mirën e mundshme për të futur lojtarët në formën më të mirë të mundshme për vazhdimin e kampionatit”.

PËRSHTATJA– “Nuk kemi çfarë të bëjmë. Nuk mund ta ndryshojmë as botën dhe as koronavirusin. Do të bëjmë më të mirën, do të përshtatemi me kushtet që kemi. Do të bëjmë punën tonë dhe me ndihmën e Zotit do të arrijmë në rrugën e drejtë”.

RIFILLIMI I KAMPIONATIT– “Nuk është vetëm çështja e vendimit tonë. Nëse edhe shumica e klubeve kanë dhënë mendimin e tyre, kjo nuk ka rëndësi. Fundja çfarë rëndësie ka tani, që jemi duke filluar kampionatin. Dyshimi është mbyllur, tani mendja jonë edhe te përgatitja e skuadrës”.

FORMA FIZIKE– “Do të jetë e vështirë të jemi në formën që kishim, por të shohim. Duhet të kontrollojmë sa është forma e lojtarëve, 50-60 për qind. Po kontrollojmë me kujdes lojtarët. Tani do të shohim se si sillen në grup”.

E ARDHMJA– “Të mbarojë njëherë sezoni dhe pastaj është radha e kësaj historie. Ju e dini që unë mendoj për atë që kemi përpara. Të fillojmë dhe mbarojmë kampionatin, më pas të mendojmë për sezonin e ri. Gjithsesi, është kënaqësi që Halili më ka konfirmuar. Tirana është klubi me të cilin kam debutuar në Shqipëri. Do të bëhet ajo që ka vendosur Zoti, gjërat e mira bëhen gjithmonë bashkë”. /vipsport.al/

more recommended stories