Drejtori sportiv i Skënderbeut: Deri në fund do ketë më shumë fat, sesa kualitet. Luftojmë për Europën

Drejtori sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç mendon se tre javë janë pak për të arritur formën optimale, ndaj shprehet se deri në fund të kampionatit ai i cili që do të vendosë më shumë do të jetë fati dhe jo kualiteti. Ndërkaq, në një intervistë për “Syri TV”, Fakiç tha se ekipi ka si objektiv të arrijë një nga pozicionet që të dërgojnë në Kupat e Europës pasi beson deri në fund se do të shpëtojë nga dënimi.

“Skënderbeu nuk ndryshon shumë nga ekipet e tjera, pasi edhe ne kemi qenë në kushte karantine. Një skuadër që nuk del komplet në stërvitje, me lojtarët që stërviten veç e veç, prishet ekuilibri dhe nuk jepet gjithçka që duhet. Na nevojitet pak më shumë kohë për të stabilizuar skuadrën. Realisht 3 javë janë pak për të qenë të gatshëm për kampionatin. Mendimi im është që më shumë do i nënshtrohemi fatit, sesa strukturës reale të ekipeve. Do jemi në nivele të barabarta, pavarësisht investimeve të bëra. Deri në fund do ketë më shumë fat, sesa kualitet”.

Merkato- “Nuk do të jemi të prekur shumë nga ky aspekt, pasi tregu shqiptar nuk është i shtrenjtë. Nuk do të ketë ndryshime të mëdha në çështjen e blerjeve, pasi edhe klubet evropiane do të jenë të kujdesshëm në blerje. Do të përdoret një matematikë tjetër. Transferimet nuk do të ndalen. Besoj se një skuadër ka vendosur të blejë për shembull Devi Bregun, s’do të ketë ndikim të madh në çmim.

Skënderbeu çdo herë ka qenë korrekt, kështu që ne jemi optimist. Për ne kjo është çështja më e rëndësishme, të kalojmë këtë verë, të mbyllim kampionatin. Ne do të luftojmë për pjesëmarrjen në Europë, pasi nëse fitojmë gjyqin, do të luajmë në kupat e Europës. I kemi mundësitë të kapim Evropën, pasi jemi një nga ekipet më kualitative në Shqipëri. Ne do të luftojmë për këtë gjë, pse jo që të marrim pjesë edhe në këtë vit”, u shpreh Fakiç. /VipSport.al/