Drejtori i Verder, Bauman: Nuk ka asnjë ofertë zyrtare, por Rashicën e duan klube “të abonuar” në Champions

Milot Rashica është një nga lojtarët më të përfolur përsa i përket merkatos së klubeve europiane. Ylli i kombëtares së Kosovës ka treguar cilësitë e një sulmuesi të denjë për klube shumë më gjigante se Verder Bremen dhe në verë pritet që ai të ndërrojë skuadër. Lajpcig, Borusia Dortmund në Gjermani dhe Liverpul e Aston Vila në Angli kanë treguar interes për shërbimet e tij.

Altin Lala, menaxheri i Rashicës dhe ish-mesfushori i kombëtares kuqezi ka lënë të kuptohet se Verder Bremen është gati ta lërë të lirë 23-vjeçarin në këmbim të ofertës më të mirë. Klauzola e shitjes së tij brenda Gjermanisë është 38 milionë euro, por kjo shifër mund të ulet në 15 milionë në rast se Verder Bremen zbret në Bundesliga 2.

Edhe pse zërat për oferta drejt tij gëlojnë prej muajsh ne media, drejtori sportiv i klubit të sulmuesit tregon se drejt Verder Bremen nuk ka ardhur akoma asnjë ofertë konkrete, përveç interesit sipërfaqësor. Frank Bauman tregon se Miloti është në listën e klubeve gjigante, që luajnë rregullisht çdo sezon në Champions Legaue.

“Deri në këto momente asnjë klub nuk ka bërë ofertë zyrtare për Rashicën. Unë pres që tregu i transferimeve të hapet më vonë për shkak të krizës, që ka kapluar klubet nga koronavirusi. Megjithatë, e di që Miloti është në listën e skuadrave të mëdha, që luajnë rregullisht në Champions League”, u shpreh Baumann. 23-vjeçari nga Vushtria ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar 5 asiste në 24 ndeshje zyrtare me Verder Bremenin këtë edicion futbollistik. /vipsport.al/