Cungu: Laska ruan më shumë fushën, se veten e tij. Vllaznia? Nuk bëhen mbledhjet nën hijen e plepave

Laçi i këtij sezoni ka pasur oshilacione, por në fund ka arritur të jetë në luftë për një vend në Europë dhe të ruajë me fanatizëm vendin e tretë, pas dyshes kryesuese. Pas kësaj ndërprerje, trajneri i bardhezinjve, Armando Cungu ka disa pakënaqësi. Në “Super Sport” tregon se ka shumë diferenca fizike mes skuadrave dhe flet edhe për Vllazninë, që e cilëson si një ekip amator.

PANDEMIA- Nuk ka shprehje më të bukur se ajo e Liverpoolit “You ë’ll never ëalk alone” dhe shkon me situatën që po kalojmë. Kënaqësia është e madhe që ju shoh dhe të gjithë jemi shëndoshë e mirë. Nuk kanë qenë të lehtë këto dy muaj, pavarësisht se kemi qenë mirë nga ana shëndetësore. Të gjithë kemi kaluar një situatë të pakëndshme, na është bërë terror edhe nga televizori, duke dëgjuar vetëm për vdekje. Kjo ndikon psikologjikisht. Jemi munduar të mbajmë formën individualisht, por jo të gjithë kanë mundur ta bëjnë në kushte të barabarta. Dua të falënderoj futbollistët për seriozitetin që kanë treguar, më ka lënë një shije të mirë gjatë periudhës së pandemisë.

FUSHA E STADIUMIT TË LAÇIT- Nuk është një lajm i ri. Nga dashamirësia që ka treguar presidenti prej vitesh, ajo e Laçit është mes dy fushave më të mira të futbollit në Shqipëri. Presidenti e ruan më shumë se veten, këtu ndoshta nuk bie shumë dakord me të. Ai dëshiron ta ruajë sa më gjatë.

NGJASHMËRIA ME LIVERPULIN- Ndoshta është në ADN ose shkojnë rastësisht këto situata, por unë jam një njeri që kërkoj shpirtin në fushë. Për mua është thelbësore, e pazëvendësueshme. Pa ambiciE dhe dëshirë, cilësia nuk vlen.

PROBLEMET FIZIKE- Besoj se mund të kemi probleme. Është situatë e paprovuar ndonjëherë. Dy muaj pushim, ku gjithsecili është stërvitur me kushtet e tij, ndryshe nga futbolli perëndimor, ku i kanë kushtet edhe në banesat e tyre. Futbollistët shqiptarë mendoj, vazhdojnë të jenë të varfër. Kemi ardhur nga një sistem me duar në xhepa, sa na mbyllet një vrimë, na hapet tjetra. Në Gjermani pati nëntë dëmtime në një javë. Dhe kush është Gjermania! Imagjinoni se çfarë mund të ndodhë. Dikush mund të humbë diçka padrejtësisht e një tjetër mund të fitojë padrejtësisht.

VENDIMI I RIKTHIMIT- Nuk ka rëndësi se çfarë mendoj unë, sepse nuk na ka pyetur kush se si do të ishte më mirë. Në tri fazat e para është vendosur gjithçka në fushë, situata nuk është normale. Brenda ekipit tim nuk ka barazi mes futbollistëve sa i përket stërvitjes e ç’mund të themi për skuadrat. Tani jemi në kushte të pabarabarta. Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të japim maksimumin kështu siç është vendosur.

KAOSI TE VLLAZNIA- Para se të vija këtu, po diskutoja situatën e Vllaznisë. Jam në krah të sportistëve, që të jem i ndershëm. Futbolli ynë nuk është aq i pasur sa të presësh 4 muaj pa paga. Askush ia bën dot llogarinë tjetrit. Ai takim në fushë m’u duk aspak serioz, u tregua si klub amatoresk. Nuk mund të bëhen këto takime nën hijen e plepave. Kjo është ajo që nuk bie dakord. Kriza mund të ketë çdo ekip, por duhen kaluar me seriozitet. /vipsport.al/