Cana bëhet nostalgjik dhe kujton triumfin në finale ndaj Romës: 26 maji do jetë i paharrueshëm

Lorik Cana ka përjetuar një periudhë mjaft të mirë në karrierë kur vishte fanellën e Lacios. Ish-futbollisti i Shqipërisë ka qenë pjesë e bardhekaltërve për katër vite duke regjistruar 111 prezenca, ndërsa ka shënuar edhe katër gola.

Por, i paharrueshëm me kryeqytetasit është trofeu i fituar në Kupën e Italisë më datë 26 maj të vitit 2013, ku si kundërshtar ishin rivalët e përjetshëm të Romës. Së fundmi, Cana është kthyer pas në kohë dhe ka folur mbi këtë titull teksa thekson se një finale tjetër mes Lacios dhe Romës mund të përsëritet, por ama bardhekaltërit do mbeten të parët që e kanë fituar derbin dhe një trofe.

“26 maji është i paharrueshëm. Të fitoje Kupën e Italisë kundër Romës ishte e mrekullueshme. Më kujtohet gëzimi pasi arbitri i dha fund ndeshjes, shikimi im u drejtua menjëherë drejt tribunës ku ishte familja ime. Pastaj, sigurisht edhe festa me tifozët tanë. Ka hakmarrje dhe një finale tjetër mes Lacios dhe Romës është e vështirë të ndodhë, por jo e pamundur. Megjithatë, nuk do të ketë më një herë të parë dhe ne do jemi gjithnjë të parët”, u shpreh Cana.   /VipSport.al/