Bushi: Pas këtij pushimi çdo futbollist mund të dëmtohet, me Shpresat ta mbyllim në vend të tretë

Trajneri i ekipit Shpresa të Shqipërisë, Alban Bushi shprehet se kjo kohë e gjatë pushimi rrezikon çdo futbollist për një dëmtim të mundshëm ndaj në këtë pikë rëndësi të madhe marrin preparatorët fizikë. Në një intervistë për RTSH Sport, Bushi thekson se kjo pauzë i ka shërbyer edhe atij për të studiuar futbollistë për sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, ish-sulmuesi tashmë në rolin e trajnerit beson se ekipi Shpresa mund ta mbyllë në vendin e tretë këtë edicion të kualifikueseve për Europian, çka do të ishte një rezultat i rëndësishëm duke qenë se në grup janë Anglia dhe Austria që shihen si favorite ndaj të tjerave.

Gjendja e futbollistëve të ekipit Shpresa- “Me lojtarët e ekipit Shpresa kam kontaktuar thuajse me të gjithë, ata si të gjithë sportistët e tjerë janë duke u stërvitur në shtëpi dhe kush ka mundësi ka bërë pak vrap. Gjithsesi, mendoj se do të jetë një detyrë e madhe e preparatorëve teknik dhe stafit për të patur një program të specifikuar që të merret me detaje, pasi pas një pushimi kaq të gjatë çdo futbollist mund të dëmtohet”.

Pauza- “Kam bërë një rezyme se ka qenë një kohë e gjatë pushimi dhe kam parë e stërparë lojtarët e ndeshjet, apo kam parë edhe lojtarët që mund të jenë për sezonin tjetër dhe kam krijuar një ide më të qartë. Plus na ka ndihmuar edhe nga ana profesionale për t’u zhvilluar edhe ne vetë si trajner sepse ka qenë një kohë e madhe studimi e duke lexuar librat sportive apo duke parë programe sporti”.

Shqipëria U21, vendi i tretë i mundshëm për kualifikueset e Europianit- “Këtë edicion nuk është se na kanë munguar rezultatet, por kemi bërë një hap fals me Andorrën dhe ato dy pikë të lëna mbase do t’i kërkojmë në fund. Gjithsesi, kemi edhe katër ndeshje dhe jemi në vend të katërt, por kemi besimin se mund ta mbyllim në vend të tretë këtë edicion.

Ka shumë futbollistë dhe po të shohim ekipi kombëtar A, ka një moshë realativisht 23 apo 24 vjeç. Ka shumë alternativa, plus që do ketë edhe këtë sezon, do të ketë akoma tre apo katër lojtarë që do shkojnë te ekipi kombëtar A, të cilët i tha edhe trajneri Reja që do t’i provonte në ndeshjen me Slloveninë”, u shpreh Bushi. /VipSport.al/