Braçe vazhdon ngacmimet me “armikun bardheblu”: Nuk mbarojnë golat e fitoret e Partizanit

Erion Brace është një nga politikanët më të dashuruar me futbollin dhe duket se nuk ka ndërmend të ndahet prej kësaj loje, as në këto ditë, ku futbolli ka mbyllur qepenat. Partizani është skuadra e zemrës së tij, ndërsa Tirana dhe tifozët e saj janë “armiku”. Tifozët e bardhebluve në çdo ndeshje me të kuqtë nuk harrojnë as të ngacmojnë zëvendëskryeministrin, por as ky i fundit nuk zgjedh të mos ua kthejë reston.

Herë pas here Braçe kthen kohën pas dhe kujton fitoret e viteve të fundit të Partizanit kundër Tiranës, që për hir të së vërtetës nuk kanë qenë të pakta. Mbrëmjen e djeshme Braçe ka zgjedhur t’i thotë “natën e mirë” ndjekësve të tij më një video në një prej derbeve, ku Xhevahir Sukaj vinte nga stoli dhe shënonte golin e fitores për skuadrën e tij në fundin e kohës së rregullt.

Braçe e kujton me nostalgji këtë moment dhe poshtë videos shkruan: “Nuk mbarojnë! Dy muaj e pak në karantinë, nuk mbarojnë golat, as fitoret! Rekordi në histori prej FK Partizani! Edhe prej djemve si Xhevahir Sukaj! Natën e mirë edhe për sot!”. Mbetet të shihet se cilën video do të zgjedhë Braçe për ditën e sotme, nëse nuk do të jetë shumë i zënë për çështjen e teatrit. /vipsport.al/