Asion Daja: Keqardhje për ikjen nga Tirana, e meritojnë titullin kampion

Asion Daja la Tiranën verën e shkuar për të kaluar te Skënderbeu dhe i hoqi mundësinë vetes të fitonte titullin kampion, që ekipi bardheblu e ka kaq afër. Përsa i përket këtij vendimi, mesfushori ndjen keqardhje, por jo pendesë. Në një lidhje me “Super Sport”, Daja tregon se mund të kthehet te Partizani.

STËRVITJA- Ne jemi stërvitur individualisht me programin e trajnerit. Për mendimin tim kjo nuk vlen shumë sepse ekipi duhet të mblidhet bashkë në fushë e të bëjë stërvitje tekniko-taktike.

PËRJASHTIMI NGA NDIHMA E QEVERISË- Është problem i madh sepse shteti i përjashtoi futbollistët. Ne jemi punëtorë si të gjithë e paguajmë taksa edhe pse thonë se nuk paguajmë. Çdo biznes i ka këto, që i jep më vonë apo me bonuse e jemi ndjerë të mënjanuar nga kjo ndihmë.

STËRVITJE “KLANDESTINE”- Ne shteti nuk na ka lejuar e kemi dalë si të paligjshëm edhe pse nuk jemi kriminelë. E kemi menduar, por nuk është njësoj si stërvitja në fushë.

TITULLI- Partizani e meritoi titullin atë sezon me trajnerin Gega, që kishte bërë një skuadër simpatike. E për Tiranën do të thoja të njëjtën gjë, pasi këtë e tregon renditja. Idealja do të ishte të shpalleshin në fushë si një kampionat normal. Tirana e meriton titullin pas kaq shumë vitesh dhe e mira do të ishte ta festonin në fushë bashkë me tifozët te stadiumi i ri.

LARGIMI NGA TIRANA- Në fillim u shfaq ajo Tiranë me probleme duke parë deklaratat e trajnerëve. Me ardhjen e Egbos ata morën një hov dhe e treguan forcën ndaj çdo kundërshtari. Kam keqardhje që u largova, por nuk jam penduar që e kam bërë.

PAGA E LUFTËS- Po përsa i përket pagës së luftës i kemi marrë e duhet të falenderoj FSHF-në sepse është një gjest për t’u vlerësuar në këto momente.

PARTIZANI?- Pres të mbarojë ky kampionat e pastaj do të vendos për një rikthim te Partizani. Në çdo ekip ku kam luajtur jam ndjerë shumë mirë. /vipsport.al/