As Aleksi nuk fshihet: Teuta do Kupat e Europës, por lufton për vendin e dytë

Te Teuta i janë kthyer përgatitjeve kolektive këtë javë me një ide të qartë në mendje për vazhdimin. Skuadra kërkon tashmë jo vetëm pjesëmarrjen në Europë në edicionin e ardhshëm, por edhe vendin e dytë pas krahëve të Tiranës që të gjithë e shohin thuajse të sigurt si kampione. Objektiv i qartë i shprehur nga trajneri Martini dhe shumë lojtarë të kësaj skuadre, të cilit u bashkohet edhe një nga pikat kyçe të mesfushës, Albano Aleksi.

“Prisja me padurim që të fillonim kampionatin dhe tani mund të vazhdojmë aty ku e lamë. Shokët e ekipit i shikoja gjithmonë nga larg, por flisnim vazhdimisht dhe mezi prisnim të fillonim stërvitjen”, tha ai për “SuperSport”.

“Kemi kaluar gjithçka dhe i jemi rikthyer harmonisë si më parë. Jemi një grup i bashkuar dhe duam të arrijmë objektivin, që janë kupat e Europës. Edhe unë besoj në atë që tha trajneri, për arritjen e vendit të dytë, por e rëndësishme është që të marrim ndeshjet me radhë dhe të shohim deri ku mund të shkojmë”, ishin fjalët e titullarit të klubit durrsak. /vipsport.al/