Arbitri rrëfen se gaboi në finalen e Champions: Ramos shënoi në pozicion jashtë loje, i thashë Pepes ta qepte

Në vitin 2016, Milano priti finalen e Ligës së Kampionëve mes Real Madrid dhe Atletiko Madrid. Ishte një finale dramatike e cila u nda nga pika e bardhë e penalltisë, ku “Los Blancos” u treguan më të zotët duke ngritur lart trofeun. Ndërkohë, për të rrëfyer një gabim në atë kohë është kthyer gjyqtari kryesor i sfidës, Mark Klatenburg.

Ai rrëfen se në momentin kur Reali shënoi golin e parë me anë të Serxho Ramos, anësori gaboi pasi duhej anuluar goli për një pozicion jashtë loje. Klatenburg shprehet se këtë e kuptoi në pushimin e ndeshjes, megjithatë nuk kishte më kthim pas. Ndërkaq, Klatenburg tregon edhe një episode të veçantë, teksa në momentin që akordoi penallti për Atletikon, mbrojtësi Pepe iu afrua dhe i tha se nuk ishte 11-metërsh, por ai iu kthye se as goli i Realit nuk ishte. Në këtë formë, portugezi nuk kishte çfarë të bënte, por vetëm ta qepte.

“Në atë ndeshje, Reali kaloi në avantazh në pjesën e parë me një gol për fare pak në pozicion jashtë loje. Këtë e kuptuam në pushimin e pjesës së parë. Por, ishte një aksion i vështirë dhe asistenti im gaboi. Nga ky gabim ia dola të menaxhoja Pepen në pjesën e dytë, në momentin kur ai shkaktoi penallti.

Pepe m’u afrua dhe më tha se nuk mund të ishte një 11-metërsh. Iu ktheva dhe i thash se goli juaj i parë nuk duhej të ishte akorduar, kështu ai ndaloi, heshti. Njerëzit mendojnë se kjo është e çuditshme dhe të gabosh dy herë nuk mund të jetë një sukses. Edhe arbitrat kështu mendojnë, por për futbollistët është ndryshe. E dija që nëse ia thoja atë atij, atëherë ai do ta pranonte. Nuk është qejf të arbitrosh Pepen, duhet ta kontrollosh të gjithë kohën”, u shpreh Klatenburg. /VipSport.al/