Apeli i dëshpëruar i sportistes së Partizanit: Nuk di si të kthehem në shtëpi te djali im 2 vjeçar

Duhej të ishte një eksperiencë e shkëlqyer në Europë dhe një mundësi e mire për t’u bërë pjesë e volejbollit të rëndësishëm, pro aventura e kolumbianes Nidia Esperanza Gomez në radhët e klubit të volejbollit për femra të Partizanit është kthyer shumë shpejt në një eksperiencë të pakëndshme. E mbërritur në shkurt në radhët e klubit kryeqytetas, ajo nuk iu gëzua shumë Shqipërisë pasi iu desh të mbyllej brenda muajit ashtu si të gjithë në shtëpi për shkak të koronavirusit.

Një karantinë që bëhej edhe më e rendë nga fakti se drejt Shqipërisë kishte udhëtuar e vetme dhe se e priste në Kolumbi djali i saj 2-vjeçar.

“Në shkurt falë trajnerit tim dhe një menaxheri m’u dha mundësia që të vija të luaja në Shqipëri. Ndodhi shumë shpejt gjithçka dhe mora vendimin për të udhëtuar e vetme e për momentin jam vetëm këtu, pa familjen. Pastaj ndodhi koronavirusi dhe të gjithë u bllokuam në shtëpi, aeroporti këtu është i mbyllur dhe nëse ka fluturime, edhe Kolumbia ka aeroportet e mbyllura dhe nuk e di pas sa muajsh mund t’i hapë“, tregoi ajo situatën e saj në një intervistë radiofonike.

“Situata nuk është zgjidhur ende, karantina pak nga pak po lehtësohet dhe ekonomia e vendit po vihet në lëvizje. Nga kamapionati nuk kemi ende leje që të rifillojmë stërvitjet në palestra, flitet edhe për play-off në mes të muajit qershor, por nuk ka asgjë konkrete. Klubi ka disa pagesa për të më bërë, por më kanë thënë që do të rregullohet gjithçka këto ditë”, vijoi ajo duke treguar se për të situata ishte më e veçantë pasi dëshironte të kthehej sa më parë në Kolumbi për të qëndruar përkrah të birit, me të cilin prej muajsh komunikonte vetëm nëpërmjet video-telefonatave.

“Kontrata ka mbaruar me 15 maj, në teori, nëse mund të gjej një fluturim, largohem. Turneu nuk është prioriteti im në këto momente, kam nevojë të shoh djalin tim”, ishte apeli i dëshpëruar i sportistes kolumbiane të bllokuar në Shqipëri, ndërsa nga emisioni radiofonik ku ajo u intervistua i kanë nisur një kërkesë Ministrisë së Jashtme të Kolumbisë që të shohë me prioritet çështjen e Gomez. /vipsport.al/