Alarm në futbollin turk, klubi gjigant me tetë persona të prekur

Futbolli turk ishte nga të fundit në Europë, që “uli qepenat” dhe një nga të parët, që planifikoi rinisjen, duke vendosur datën 12 qershor për vazhdimin e kampionatit dhe Kupës. Planet e Federatës janë vënë në dyshim të madh ditën e sotme për shkak të një precedenti në klubin e Beshiktash. Të gjithë po i nënshtrohen analizave dhe është zbuluar se plot tetë anëtarë të klubit nga Stambolli janë të infektuar me Covid-19.

Nuk bëhet e ditur nëse janë të gjithë futbollistë apo pjesëtarë të stafit teknik të klubit. Ky lajm ka vënë në alarm të madh autoritetet turke, që pritet të rishikojnë vendimin e rikthimit më datë 13 qershor në fushë. Ditën e djeshme u raportuan raste të reja edhe në një nga klubet e ligës së dytë turke, kampionat ku aktivizohen disa nga futbollistët shqiptarë si Çikalleshi apo Selmani e Domgjoni.

Mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marë qeveria në bashkëpunim me federatën turke të futbollit, pas publikimit të këtyre rasteve. Në rast se shumica e tyre janë lojtarë mund të kemi edhe një vendim drastik për futbollin në vendin ballkanas, që në fakt e ka menaxhaur shumë më mirë se shtetet e tjera të përmasave të tilla. Në Turqi janë prekur nga virusi 143 mijë persona dhe më pak se 4 mijë prej tyre kanë humbur jetën. /vipsport.al/