Zyrtare / UEFA cakton ndihmë për klubet, përfitojnë Partizani dhe Laçi

Edhe pse tashmë për arsye që njihen, kampionatet e futbollit në botë janë ndaluar, kjo nuk do të thotë që UEFA të mos përmbushë detyrimet e saj në lidhje me paratë që iu detyrohet klubeve që kanë kontribuar me futbollistë për kombëtaren. Kështu, në ditën e sotme pas një mbledhje, Komiteti i UEFA-s ka vendosur të shpërndajë një fond prej 70 milionë eurove për klubet. Në vendin tonë ato klube që përfitojnë janë Partizani dhe Laçi.

Të kuqtë kanë pasur rregullisht të grumbulluar me kuqezinjtë portierin Alban Hoxha, ndërsa më pas nga radhët e të kuqve u shtua edhe Lorenc Trashi. Ndërkohë, klubi tjetër shqiptar që përfiton nga fondi i UEFA-s është Laçi. Gjatë kohës kur luante me bardhezinjtë, pjesë e kombëtares ishte edhe gardiani i talentuar, Gentian Selmani.

22-vjeçari, tashmë është pjesë e Menemenspor në Ligën e Parë turke. Sakaq, pas përfundimit të Europianit, UEFA do të shpërndajë edhe një fond tjetër prej 200 milionë euro nga të cilat klubet do të përfitojnë sërish, në bazë të minutave që lojtarët e tyre do të marrin në kompeticionin e rëndësishëm. /VipSport.al/