Zv. kryeministri Braçe: Kombëtarja u shpërblye, klubet si piramidat, ku shkuan lekët që mburreshin në Europë?

Erjon Braçe është tifoz sporti dhe shpesh e kemi parë në stadium edhe kur ka luajtur Tomori i Beratit ndër vite, por nuk mungon asnjëherë kur luan edhe Partizani. Pak vite më parë ka ngritur problematikën se futbolli shqiptar është në terr dhe klubet nuk deklarojnë në tatime, por edhe se punojnë në të zezë, e madje zërin e ka ngritur edhe në Parlamentin shqiptar. Por, sot në një prononcim në “Skype” nga shtëpia për “Procesin Sportiv”, Erjon Braçe ka pohuar: “Dëgjoj shpesh që përmendin sukseset e Kombëtares. Por, të mos harrojmë se kjo qeveri e ka shpërblyer dhe e ka vlerësuar atë arritje të djemve të Kombëtares”.

Thirrja e skuadrave

Gjatë kësaj jave që po mbyllet kanë folur drejtues klubesh, por edhe lojtarë apo dhe FSHF, duke kërkuar ndihmë nga Qeveria shqiptare. Braçe nuk është kursyer duke iu kundërpërgjigjur: “I kam dëgjuar pretendimet, por pak vite më parë, unë kam folur si ekonomist dhe si Kryetar i Komisionit të Ekonomisë. Në mes të Parlamentit kam ngritur një problem që ka dal sot evident. Madje, kam marrë edhe një reagim shumë të keq nga Kreu i FSHF-së. Të gjithë kanë marrë një sulm banal ndaj një njeriu që thoshte të vërteta, ndërsa sot kanë dal në diell të tëra ata që kam parashtruar”.

Klubet si “Piramidat”

Braçe, shkon edhe më tej, madje thekson se klubet nuk deklarojnë asgjë, madje sipas tij po funksionojnë edhe si firmat piramidale në 1997, sepse nuk kanë asnjë tregues, ndonëse pati klube që mburreshin nga arkëtimet nga Europa apo dhe shitjet e lojtarëve pak vite më parë. “Kemi folur për ekipe që kanë arkëtuar miliona euro në 3-4 vitet e fundit dhe nuk paguajnë rrogat sot. Ku i kanë çuar paratë këta? Kanë fituar nga aktivitete brenda dhe jashtë, por edhe shitje lojtarësh madje duke mos paguar asnjë taks në shtet e duke mos bërë asnjë deklarim dhe thonë që e kemi biznes…. Ore, ku i kanë çuar lekët? Është e njëjta pyetje siç kam bërë në 97-tën, ku i çoj lekët Vehbiu, “Gjallica”, “Kamberi”. Këta paskan ndërtuar Piramida…”

Parashikimet

“Më vjen keq që këta po merren me ato që kam thënë unë para dy vjetësh e gjysmë, ja ku ju doli dhe sot ankohen. Po ndoshta ngaqë jam tifoz i Partizanit dhe më akuzojnë. Manush ta vuaj unë nuk është problem, por po e vuajnë qindra futbollistë anekënd Shqipërisë.”

Kampionati

Në fund i pyetur, se a është më mirë që të rifillojë gara apo kampionati të jepet në tavolinë, Braçe ka mbyllur: “Kampionati të luhet, për mua çdo gjë që është në tavolinë  është e rreme dhe titullin ta mari ai që meriton”.

E.Saliu/Vipsport.al/