Zbardhet plani i UEFA-s, kampionatet e më pas gushti vetëm për ndeshjet e mbetura në Europë

E gjithë Europa është ende në mes të luftës me pandeminë por kjo nuk ndal UEFA-n që të hartojë plane konkrete për rikthimin në fushën e lojës për të zhvilluar ndeshjet e mbetura nga Liga e Europës dhe Liga e Kampioneve. Organizata ndërkombëtare nuk ka ndër mend që të humbasë qindra miliona euro fitime që rrjedhin nga ajo e aq më pak të paguajë dëmshpërblime nëse nuk mbyll sezonin.

Ndaj është bërë gati që tani një plan paraprak që sheh kampionatet të mbyllen brenda një date të caktuar në korrik, ndërsa pjesa tjetër e verës, deri në fund të muajit gusht, t’i kushtohet Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës. UEFA është e hapur edhe ndaj idesë që kampionatet të zhvillohen paralelisht me ndeshjet e saj, por për momentin e sheh të arsyeshme që të caktojë edhe data të mundshme për duelet e këtyre dy aktiviteteve.

Kështu, çerekfinalet e Ligës së Kampioneve do të nisnin më 28-29 korrik, për t’u luajtur javë pas jave derisa të shpallet fituesja, me një finale më datën 29 gusht, që ka caktuar organizata si më të mundshmen për të luajtur sfidën në Stamboll. Lajmi i publikuar nga “Telegraph” sqaron se tre ditë më parë do të zhvillohej finalja e Ligës së Europës. Megjithatë, shqetësimi për UEFA-n është se si të organizojë transfertat e skuadrave pasi thuajse në çdo vend janë bllokuar fluturimet dhe para çerekfinaleve, duhet të zgjidhë sfidat e mbetura pezull në Ligën e Kampioneve : Juventus-Olimpik Lion (0-1 ndeshja e parë), Mançester Siti-Real Madrid (2-1), Bajern Mynih-Çelsi (3-0) dhe Barcelona-Napoli (1-1). /vipsport.al/