Varianti i ri i Federatës Italiane: Kampionati mund të përfundojë në shtator ose tetor

Kjo mund të jetë një verë shumë e gjatë për futbollin në Itali, si pasojë e koronavirusit. Duke parë se klubet duan me çdo kusht që të luajnë ndeshjet e mbetura, në mënyrë që të mos paragjykohet gara sportive dhe verdiktet e sezonit, pa harruar këtu të ardhurat që përfitojnë nga e drejta TV, në Federatën Italiane po mendojnë edhe versionin më ekstrem të mundshëm.

Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, bëri të qartë se mendohet edhe kthimi i aktiviteteve në muajt e vjeshtës, duke iu bashkangjitur sezonit pasardhës. “Të mbarojmë kampionatin në shtator apo tetor? Për momentin është një hipotezë. Një nga datat për të rifilluar aktualisht mund të jetë 17 maji, por e theksoj se edhe kjo është vetëm një hipotezë. Të mbyllim sezonin në fushë do të ishte mënyra më e mirë jo vetëm për të mos kompromentuar sezonin në fjalë, por edhe që të evitojmë që të kompromentohet në çdo mënyrë sezoni pasardhës”, theksoi ai.

Kjo zgjidhje ekstreme sigurisht që do të krijonte probleme të tjera, pasi në shtator apo tetor, UEFA do të dëshirojë të nisë kompeticionet e saj e pa pasur një përfundim të kampionatit italian, sigurisht që nuk do të lejojë pjesëmarrjen e skuadrave të tij në Kupat e Europës. /vipsport.al/