Uilliam Kordeiro: Marr leje me SMS për të dalë nga shtëpia, Superiorja në qershor

Një muaj i mbyllur në shtëpi është padyshim shumë i vështirë për këdo, por aq më shumë për ata të cilët kriza e koronavirusit i ka gjetur në një vend të hua. Ky është edhe rasti i Uilliam Kordeiros, i cili është në Shqipëri dhe sigurisht nuk mundi të udhëtonte drejt Brazilit. Futbollisti i Partizanit ka treguar këtë eksperiencë të veçantë për mediat në vendlindje, duke konfirmuar se edhe ai si të gjithë të tjerët i nënshtrohet rregullave duke pritur rifillimin e kampionatit nëse situata do të kthehet nën kontroll.

“Federata Shqiptare punon me idenë e planit për të kthyer kampionatin në javën e pare të qershorit, shpresojmë që kjo të kalojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që të mund të kthehemi në stërvitje dhe në ndeshje, e që gjithashtu të jetojmë normalisht jetën tonë”, theksoi futbollisti brazilian i cili tregoi se ashtu si të tjerët, edhe ai kufizonte me një orë daljet e tij.

“Këtu në Shqipëri situata është nën kontroll, qeveria veproi shpejt. Kufizimet që kemi janë se mund të dalim në rrugë vetëm me autorizim. Dërgojmë një SMS në numrin që ka vendosur qeveria, në mënyrë që të kemi mundësinë që të dalim për të blerë apo për të shkuar në farmaci. Por edhe kështu mund të dalim vetëm një orë jashtë shtëpie gjatë ditës. Unë dal për të blerë vetëm një apo dy herë në javë”, tregoi ai.

Sigurisht, kjo nuk është situata ideale për një futbollist, por Kordeiro insiston se po bën më të mirën për të mbajtur veten në formë. “E dimë që nuk është i njëjti intensitet stërvitje, por për të mos humbur plotësisht formën para se të kthehemi në stërvitje, klubi na përgatiti një program stërvitor. Çdo ditë bëjmë stërvitje online me përgatitësin tonë fizik”, shpjegoi lojtari i Partizanit mënyrën se si po kalon ditët. /vipsport.al/