Trashi: Demi na i ka dhënë pagat si zakonisht, nëse vjen ofertë nga jashtë largohem

Lorenc Trashi është një nga lojtarët e paktë të Superiores, që ka arritur të luajë në kombëtare gjatë këtyre viteve të fundit. Në një interviste për RTSH, mbrojtësi i Partizanit deklaron se ndërprerja e futbollit e ka favorizuar atë për të mos munguar në kombëtare. Në lidhje me pagat ai shprehet se presidenti Demi i ka dhënë si zakonisht.

IZOLIMI- Normalisht dhe unë po e kaloj si gjithë të tjerët me këto rregullat që kanë vendosur specialistët. Po mundohem t’i respektoj edhe pse është shumë e vështirë të qëndrosh në shtëpi, duhet ta bëjmë që t’i rikthehemi sa më parë jetës normale. Përpjekjet sa i përket stërvitjes, janë shumë të mëdha duke parë që jemi 24 orë në shtëpi. Kur i ke gjitha gjërat gati, s’mund të rrish pa i provuar nga pak të gjitha. Mundohem të ruaj peshën time që kur të kthehem në fushë mos të kem probleme.

RIKUPERIMI- E kalova dëmtimin tani. Jam shumë mirë. Edhe normalisht edhe futbolli është ndërprerë. Edhe miqësoret që kishte kombëtarja janë anuluar. Këto janë në favorin tim. Shpresoj të rikthehemi sa më shpejt në fushë dhe mezi e pres ftesën nga Kombëtarja. Shpresoj ta kem. Pastaj do të jap maksimumin tim dhe uroj që të jem sërish protagonist.

NDËRPRERJA- Nuk mendoj se ka fituar ndonjë skuadër nga kjo ndërprerje. Të gjitha ekipet kanë humbur formën e tyre fizike. Kur të kthehemi do të kemi vështirësi të gjithë. Kështu nuk besoj se e ka këtë problem Partizani.

PAGAT- Kjo është një kosto e madhe për gjitha klubet. Ne kemi një president shumë bujar. Kështu që s’ka pasur ndërprerje rroge. Rroga ka vazhduar si gjithmonë.

KALIMI NË EUROPË- Si çdo lojtar flitet për një largim në një kampionat më të fortë. Të gjithë lojtarët e duan një eksperiencë të re. Unë jam në kontratë me Partizanin dhe e respektoj atë. Kur të vijë momenti, kur të më jepet mundësia për të nënshkruar me një skuadër të fortë në Europë, do të ulem me presidentin dhe do bisedojmë për më të mirën time dhe më të mirën e klubit. /vipsport.al/