Trajneri i portierëve, Bozhiqi: Ata e kanë më të vështirë për t’u stërvitur, e rëndësishme të luhet

Karantina ia ka vështirësuar shumë jetën futbollistëve të cilët me aq mundësi sa kanë, duhet të ruajnë formën fizike. Megjithatë, klubet iu kanë dërguar programet dhe puna duhet të vëzhdojë edhe në këto kushte.

Sakaq, në një lidhje për “Fan Zone” në Supersport, trajneri i portierëve të Skënderbeut, Ilir Bozhiqi shprehet se për një portier është më e vështirë stërvitja në shtëpi. Ndër të tjera, Bozhiqi thekson se është e rëndësishme që kampionati të vazhdojë me skuadrat që duhet të rikthehen të luajnë.

“Është një moment i vështirë, por duhet të mendojmë për të gjithë. Në këto kushte është shumë e vështirë që të bëhet stërvitja. Komunikojmë me lojtarët çdo ditë, bëjmë ndonjë shaka për të pasur harmoni. Në këtë moment duhet t’i kushtojmë rëndësi shëndetit. Duket shumë e vështirë të rikthehemi në stërvitje. E rëndësishme që do luhet futboll përsëri. E mira është që kampionati të luhet dhe të mos mbyllet”.

Portierët që ka stërvitur- “Kam qenë me fat që gjithmonë kam pasur në drejtimin tim portierë shumë të mirë në të gjitha aspektet. Nuk mund të veçoj asnjë, pasi të gjithë kanë qenë shumë të mirë. Është më e vështirë që të stërvitësh një portier nga shtëpia se sa një lojtar tjetër”, tha Bozhiqi. /VipSport.al/