Trajneri i Bazelit shpjegon vendimin për t’i dhënë duart Zhegrovës: Tani ishte koha!

Vendimi i Bazelit për të mos nënshkruar me Edon Zhegrovën duke blerë kartonin e tij nga klubi i Genk në Belgjikë, ka lënë shumëkënd të çuditur. Mendohej se futbollisti i talentuar i Kosovës do të vazhdonte karrierën e tij në Zvicër pasi kishte shkëlqyer me këtë klub duke dhuruar paraqitje mbresëlënëse, sidomos në muajt e fundit.

Por me 31 mars, data e fundit e aktivizimit të klauzolës për blerjen e tij për 3,5 milionë franga zvicerane, klubi bëri të qartë se nuk do ta bënte një gjë të tillë. Sigurisht kjo ka lënë të zhgënjyer Zhegrovën, por edhe tifozët e klubit, pasi nuk mendonin se sakrifica ekonomike si pasojë e koronavirusit do të fillonte me largimin e këtij futbollisti me shumë perspektivë. Vetë trajneri Marcel Koller, në një intervistë të dhënë në fundmi, ka shpjeguar se do të donte Zhegrovën në të ardhmen, por në këtë moment për Bazelin kishte qenë e pamundur  që të bënte shpenzime. “Klubi kishte një opsion për zgjatjen e marrëveshjes por nuk e përdori atë. Zhegrova është një futbollist i ri i cili do të përmirësohet ende më shumë. Por koha për të marrë vendimin ishte tani”, tha ai duke justifikuar kështu zgjedhjen e Bazelit. /vipsport.al/