Tare e Lotito bindin Strakoshën, pranë akordit të rinovimit të kontratës

Tomas Strakosha i ka bindur të gjithë dhe tashmë mund të thuhet pa hezitim se se është një nga më të mirët e Serie A. Ai është shndërruar në një siguri për Lacion, që siç raportojnë mediet italiane, dëshiron ta ketë edhe për disa vite të tjera mes katërkëndëshit yllin e kombëtares sonë.

Bisedimet për rinovimin e kontratës kanë nisur prej kohësh dhe ditët e fundit janë në një fazë mjaft të avancuar. Kontrata aktuale e Strakoshës përfundon në vitin 2022 dhe përfiton rreth 1.2 milionë euro në sezon. Pas pretendimeve të gardianit, Tare dhe Lotito kanë vendosur ta plotësojnë dëshirën e Strakoshës dhe t’i rrisin përfitimet e portierit.

Kontrata e re do të shtyhet deri në vitin 2025 dhe Strakosha do të përfitojë 2 milionë euro neto në sezon. Kjo shifër mund të tejkalohet me bonuset që pritet të përfshihen në kontratë. Kjo lëvizje e shpejtë e Lacios vjen pasi disa klube gjigante të Europës kanë hedhur kanditaturën për të blerë portierin e kombëtares kuqezi. /vipsport.al/