Solskjaer nuk njeh krizë: Jemi ndër më të pasurit, në merkato do blejmë kë të duam

Klubet e futbollit janë duke kaluar një situatë të vështirë ekonomike për shkak të koronavirusit që ka ndërprerë aktivitetet, e për pasojë edhe të ardhurat e tyre. Në këtë formë, pritet që edhe merkato e kësaj vere të mos ketë lëvizje me shuma marramendëse.

Megjithatë, ka edhe nga ato klube që mund t’ia pranojnë vetes shpenzimet pavarësisht situatës së vështirë. Kështu, pretendon trajneri i Mançester Junajtid, Ole Gunar Solskjaer. Tekniku norvegjez është shprehur se në merkato “Djajtë e Kuq” nuk do mendohen dy herë por do të transferojnë atë që duan.

“Herët apo vonë, futbolli do të rikthehet në normalitet dhe e rëndësishme është të jemi gati. Duam të jemi më të mirët, e tani kemi më shumë kohë për të diskutuar për lojtarët planet dhe për të vlerësuar atë që duam. Nuk e dimë si do jetë situata në merkato, kush klub do të ketë nevojë për të shitur lojtarë. Ajo që di është se ne te Mançester Junajtid jemi nga klubet më të mëdha në aspektin financiar. Jam i sigurt se sapo të kthehemi në normalitet, do të bëjmë blerjet që duam”, u shpreh Solskjaer. /Vipsport.al/