Skuadrat angleze kërkojnë Kutinjon, por askush s’e kënaq Barcelonën

Filipe Kutinjo nuk do qëndrojë te Bajerni në sezonin e ardhshëm, por as Barcelona nuk ka ndërmend ta mbajë pasi të kthehet nga Gjermania. Katalanasit duan ta shesin brazilianin për të arritur të sigurojnë të ardhura për blerjen e dyshes Lautaro-Nejmar.

Bajern nuk ka në plan të harxhojë 120 milionë eurot e parashikuara në kontratën e huazimit dhe Barcelonës i duhet të gjejë një blerës. Kutinjo ka bërë mrekullira dikur me Liverpulin dhe anglezët e kanë të qartë se ai do të bënte mirë në Premier Ligë, kështu që janë ishullorët ata që e ndjekin me kujdes situatën e brazilianit.

Liverpul, Çelsi dhe Totenhem interesohen për fantazistin, por ka një problem. Ata nuk janë të gatshëm të plotësojnë dëshirat financiare të Barçës për ish-yllin e Liverpulit. Nëse Barça kërkon 120 milionë euro për mesfushorin, anglezët nuk kanë në plan t’i tejkalojnë 90 milionët. /vipsport.al/