Shehi: Të kapësh arritjet e Skënderbeut duhet kohë, finalja me Dinamon pengu i karrierës

Orges Shehin nuk e la koronavirusi të njihej tamam me skuadrën, pasi siç e tregon edhe ai vetë ka punuar vetëm disa ditë me ekipin. Në një intervistë për “Fan Zone” në “Super Sport” durrsaku është pyetur për mundësitë e skuadrës së tij në Europë, apo edhe për të punuarit me një personazh si Safet Gjici.

IZOLIMI- Ditët e para janë të vështira, pasi përballesh me situata të provuara më parë. Me kalimin e kohës mësohesh dhe mundohesh të programosh kohën.

NË FAZËN E GRUPEVE TË EUROPA LEAGUE?- Kjo pyetje u bëhet klubeve me pritshmëri, si ne Partizani dhe Tirana. Të shkosh atje ku thoni, duhet punë. Nuk shkohet sot për sot. Duhet punë dhe strategji, afatgjatë. Duhet punë më e gjatë për të shkuar ku shkoi Skënderbeu. Varet edhe nga koeficienti. Kukësi e ka ndër më të lartit, ndoshta për 2-3 vite edhe mund të shkosh.

ARRITJET E SKËNDERBEUT- Kishte shumë gjëra që u bënë bashkë, për të arritur aty. Skënderbeu e ndërtoi grupin duke e marrë nga një skuadër tjetër. Kur lojtarët i vënë cilësitë në shërbim të skuadrës, bëhet strategjia. Duhet bosht i shëndoshë dhe bëhet më e lehtë pastaj. Për të arritur atje duhet punë afatgjatë, e përsëris. Duhen edhe lojtarë me perspektivë, që krijojnë frymë të mirë dhe të jenë shembuj.

PUNA ME GJICIN– Më kanë pyetur shumë, a është e vështirë. Kam bashkëpunim të mirë me Gjicin. Më ka mbështetur dhe deri tani nuk mund të them që është e vështirë të punosh me një njeri që është i përkushtuar me ekipin.

KUKËSI DHE SKËNDERBEU- Janë momente të ndryshme. Te Skënderbeu isha si në shtëpi, kisha shumë kohë që isha lider në skuadër. Kisha luajtur me disa prej tyre kur isha kapiten. Bëhet disa më e lehtë, pasi më njohin si karakter. Edhe te Kukësi, edhe pse vetëm 10 ditë punova me skuadrën, më mjaftoi aq kohë t’i njoh. Disa prej tyre i kam pasur shokë skuadre, disa rivalë.

PENGU I KARRIERËS- Po shohim shumë ndeshje të vjetra, pashë një me Teutën kur luajtëm me Rapidin, finalen kundër Dinamos. Për pak gjë mund ta merrnim. Ndoshta është pengu më i madh. /vipsport.al/