Rekordmeni i Shkëndisë dhe Maqedonisë së Veriut: Isha afër kalimit te Skënderbeu, s’kam pasur kontakt nga Shqipëria

Besart Ibraimi është një nga lojtarët e spikatur të kampionatit të Maqedonisë së Veriut, por edhe një lider te Shkëndija e Tetovës. Sulmuesi 33-vjeçar është pjesë e kuqezinjve prej vitit 2015, klub me të cilin ka fituar 4 trofe, nga të cilat dy herë titullin kampion. “Bomberi” nga Kërçova u ngjit në kuotën e 167 golave me dygolëshin e shënuar kundër Shkupit dhjetorin e kaluar, duke u bërë lojtari me më shumë realizime në historinë e kampionatit të Maqedonisë së Veriut.

Kontrata

Por edhe pse ndihet lider, ai nuk e fsheh dëshirën që ka për të luajtur në Superiore. Në prononcimin që ka dhënë në “Fan Zone”, Ibrahimi ka theksuar se: “Në fund të sezonit më përfundon kontrata me Shkëndijën ku luaj prej 5 vitesh. Do të shikoj ofertën dhe më pas do vendosim. Ishim shumë afër kalimit te Skënderbeu gjatë kohës kur ata kaluan në fazën e grupeve të Europa League. Kemi qenë në kontakte, por nuk u finalizua në fund”.

Superiorja

“Transferimi në Superiore?! Gjithmonë e kam ndjekur derbin e kryeqytetit. Do ta kisha me shumë dëshirë të kaloja në Shqipëri. Me Shkëndijën ishin shumë afër kalimit në grupet e Europa League, por fati nuk ishte me ne. Mendoj se në të ardhmen do kemi më shumë fat”.

Kombëtarja shqiptare

“Kombëtarja shqiptare? Të them të drejtën, unë nuk kam qenë ndonjëherë në kontakte me Shqipërinë për të kaluar te kombëtarja”, – përfundon Besart Ibraimi, i cili numëron 12 ndeshje të zhvilluar me kombëtaren maqedonase.

E.Saliu/Vipsport.al/