Propozimi origjinal për La Liga: Izolim me të gjitha kushtet, të mbyllet sezoni në Ishujt Kanarie

Federata e Futbollit në Spanjë dhe La Liga kanë marrë sot një propozim shumë interesant për vazhdimësinë e sezonit, pasi një grup i njohur hotelerie në Spanjë i ka propozuar që të mbyllin këtë edicion në Ishujt Kanarie. Grupi bën të qartë se Ishujt Kanarie kanë hotele të mjaftueshme pasi presin dhjetëra milionë turistë çdo vit, janë plotësisht të izoluar duke qenë një numër i madh ishujsh të vegjël e që nuk rrezikonin shpërndarjen e virusit, ndërsa kanë edhe komplekse stërvitore e stadiume për të garantuar si mbylljen e La Liga, ashtu edhe të La Liga 2.

Në letër bëhet e qartë se ndryshe nga shumë vende të tjera turistike, në Ishujt Kanarie ka temperature të cilat nuk bëhen ekstreme në verë, ndaj mund të luhet rregullisht edhe në korrik e gusht, që kishte qenë një nga shqetësimet e lojtarëve. Ata kanë bërë të ditur se janë kurdo të hapur për të diskutuar më gjerësisht planet se si mund të zhvillohen aktivitetet, por duke siguruar se në këtë mënyrë, do të kishte një zgjidhje shumë më të lehtë për të gjithë.

Grupi i hotelerisë bëri të ditur se këtë ide do ta mbështetnin edhe grupe të tjera të mëdha ndërkombëtare që operonin në Ishujt Kanarie e njëkohësisht do të ndihmonin edhe ekonominë spanjolle në këto zona, duke mbajtur në punë mijëra persona që do të kujdeseshin për skuadrat, stafet e tyre e të gjithë aktorët e tjerë që duhen për të garantuar vijimin e kampionateve. /vipsport.al/