Prapaskena me Ajetin, ish-trajneri i Kosovës e priti në hotel por ai nuk u paraqit

Ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku ka treguar disa prapaskena nga koha kur drejtonte “Dardanët” Në një intervistë për “Reporteri”, 48 vjeçari ka treguar se ka kërkuar që t’i bashkohej Arlind Ajeti, madje ka pasur edhe kontakte me familjen e mbrojtësit, ndërsa ai vetë e priti atë në një hotel, mirëpo Ajeti nuk u duk.

“Pas vendimit që Kosova do të luante dy miqësore në data të cilat nuk janë të UEFA-s edhe të FIFA-s, kundër Turqisë edhe Senegalit, unë kam qenë në gjendje shumë të vështirë për të grumbullur lojtarët. Edhe  lojtarë që i kisha në atë kohë, Enis Alushi, Anel Rashkja, e të gjithë lojtarët e tjerë që kanë qenë, meqenëse ndeshjet nuk ishin në datat e UEFA-s dhe FIFA-s, klubet nuk i lironin.

Kësisoj unë i lypa  Shqipërisë për Debatik Currin. Mirëpo lojtari  që do të vinte ka qenë Arlind Ajeti. Kryetari kontaktoi direkt me familjen Arlindit edhe në një farë forme është premtuar që do të vinte për të luajtur. E kujtoj si sot që deri ditën e lojës e kam pritur në hotel “Emerald”, Arlind Ajetin, por nuk ka ardhur”, u shpreh Bunjaku. /VipSport.al/