Pozitiv me COVID-19, zyrtari i FSHF: Ditët me simptoma nuk qëndrova në shtëpi, mund të kem infektuar të tjerë

Ish-futbollisti i Tiranës, Florian Riza, tashmë pjesë e departamentit të futbollit të femrave në FSHF, ka qenë një ndër personat e parë që rezultuan pozitiv me koronavirus në Shqipëri. Ai ka pranuar se nuk ka respektuar këshillat që jepeshin asokohe nga autoritetet shëndetësore, mbi qëndrimin në shtëpi të të gjithë njerezve që dyshonin se kishin infeksionin, por ka dalë nga banesa e mund të ketë infektuar persona të tjerë, siç ka rezultuar më vonë me një tjetër punonjës të infektuar brenda institucionit që drejton futbollin.

Tashmë negativ në testet ndaj virusit, në një bisedë për ABC News ai ka treguar etapat se si ka kaluar ditët derisa përfundoi i shtruar në spital. Ai ka treguar se vetëm pas 6 ditësh me simptoma, kishte marrë në telefon 127, ndërsa nuk kishte respektuar rregullat e distancimit apo vetëizolimit.

Me 10 mars ke pasur shenjat e para? Sa ishte temperatura?
“38 deri në 39 kisha temperaturë dhe ethe dhe nuk e kuptova çfarë është kjo, por duke qene se ishte një stinë virale nuk u shqetësova. Me kalimin e ditëve, kur bëhet dhe problematike temperatura e lartë, fillojnë dhe konsultat e para me njerëzit e familjes dhe mjekët. Nga konsultat me njerëzit e afërm më thanë që të merrja 127 në telefon dhe e kam bërë diçka të tillë, pas ditës së gjashtë të temperaturës kam marrë 127 në telefon, u informova nga personi që flisja se duhet të vijoja të isha në shtëpi pasi ishte thjesht një virozë stinore dhe nuk kishte të bënte me COVID se ishte një virozë stinore që do të vijonte deri në 7-10 ditë dhe më tha që të pija paracetamol.

Dhe sa ditë qëndrove në shtëpi pas telefonatës me 127 dhe të tha që vijo e qëndro se është virus i stinës?
Vijova dhe tre-katër ditë të tjera, më pas telefonova sërish 127 për të kërkuar ndihmë se çfarë po ndodhte pasi ishte një temperaturë që zgjati 7-8 ditë dhe ishte e lartë, por nuk mora përgjigje dhe u detyrova që të shqetësoja doktorin Arjan Harxhi që ka ndjekur rastin tim. Pas kontaktit me të ai më dha një antibiotik për të parë si do më reagonte trupi dhe temperatura vijoi sërish e lartë dhe në darkë vendosëm që me 21 mars të shkoja në spital për të bërë një skaner për të parë se çfarë vatre infeksioni mund të kisha në trup. Në momentin që mbylla telefonin me doktorin, temperatura ra dhe unë kam djersitur dhe kur jam paraqitur në spital nuk kam pasur temperaturë, por pas skanerit kam parë se kisha një iflamacion të shkallës së mesme por fillestare dhe dujhet të shtrohesha në spital. Pasi u ekzaminua mushkëria më bënë testin e COVID ku rezultova pozitiv.

Çfarë përjetove kur të thanë se je pozitiv me koronavirus?
Unë jam ish-futbollist i Tiranës dhe kam mentalitetin e njeriut që nuk duhet të dorëzohet dhe një nga arsyet është se kjo sëmundje ka nevojë për një moral të lartë dhe besim tek vetja. Ndoshta kjo ka qenë një nga arsyet. Ditën që shkova në spital nuk kisha asnjë shqetësim, pasi unë e di trupin tim. Më tepër e gjithë historia ime është se 127 është një urgjencë që nuk ju vjen në ndihmë njerëzve, besoj se kjo është një problem i madh, pasi 11 ditët me një temperaturë 39 është e vështirë që të përballohet nga secili

A të bënë një pyetësor pasi more 127, dhe në bazë të tillë ato dhe klasifikojnë nëse je apo jo i dyshuar me koronavirus?
“Më bënë një test që unë i plotësoja kushtet për të qenë një i sëmurë me COVID,  por që faktori që ata nuk e morën parasysh ishte mosha dhe fakti që unë isha i vetëm në shtëpi dhe nuk kisha kë të infektoja që ato e vlerësonin që unë s’kisha pse të shkoja në spital. Por unë jam nje person që zhvilloj takime të shumta, jam një person shumë social, punoj në institucion që ka një punë në terren dhe kontaktet janë të shumta. Unë kam qenë jashtë shtetit dhe kam pasur aktivitete. Ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm, pasi unë nuk kam pasur dijeni se isha i prekur dhe ditët e temperaturës unë nuk kam ndenjur në shtëpi por kam dalë dhe kam bërë pazar. Unë mund të kem qenë një person që mund të kem infektuar pa e ditur. /vipsport.al/