Pas një dekade si “qytetar”, Silva do të largohet në heshtje të plotë prej koronavirusit

Është një nga më të mirët e historisë së klubit. I dedikoi pjesën më të madhe të karrierës dhe tashmë ka ardhur momenti që David Silva dhe Mançester Siti t’i ndajnë rrugët e tyre. Deri këtu është gjithçka normale, por a mund të largohet një legjendë e klubit pa përshëndetjet dhe dedikimiet e tifozëve e pa një ceremoni madhështore? Mesa duket po.

Që në fillim të këtij sezoni mesfushori ka paralajmëruar largimin e tij dhe mediet angleze bëjnë me dije se David Silvës do i duhet të largohet në heshtje të plotë. Në Britani përhapja e koronavirusit është në një fazë shumë të avancuar dhe është thuajse e pamundur të rrezikohet edhe me një ceremoni vetëm me gazetarë e pjesëtarë klubit.

Silva do të largohet pa marrë ngrohtësinë që duhet të merrte një lojtar si ai, por me shumë mundësi në fund të kësaj periudhe të vështirë, ai do të rikthehet të shkelmojë një top në “Etihad Stadium”. /vipsport.al/