Nuabueze: Më pëlqen Partizani e Tirana, jam mes Ronaldinjos e Etosë

Sulmuesi amerikan i Laçit, Kirian Nuabueze, ishte një nga zbulimet e këtij sezoni në Superiore. Një lojtar mjaft i shpejtë dhe i fortë fizikisht, ndërsa për të nuk munguan edhe interesimet dhe ofertat në janarin e shkuar ku ishte pranë kalimit në Turqi..

Në një intervistë që ka dhënë për “FanZone” në “Supersport”, Nuabueze ka pohuar fillimisht rreth situatës në të cilën ndodhemi se: “Sigurisht qëAmerika është shumë e madhe dhe këtu një vend i vogël, por gjithsesi kaloj mirë. Më pëlqen jetesa këtu. Sapo doli lajmi për “Covid-19”, unë u kontaktova nga Ambasada Amerikane për të ikur, por nuk arrita dot afatin dhe mbeta këtu. Megjithatë po kaloj mirë dhe për fat të mirë këtu rreziku është më i vogël, për shkak edhe të izolimit që është bërë”.

Stërvitja

I pytur se këtë periudhë karantine me çfarë merret dhe si stërvitet, shtatlarti që është edhe shënuesi më i mirë i Laçit dhe një nga më të spikaturit e elitës sonë ka shtuar se: “Brenda në shtëpi nuk ke shumë mundësi të stërvitesh, por gjithsesi po ushtrohemi sa të mundemi për të mbajtur trupin në formë”.

Raporti mes golave dhe asisteve

Shumë gola, por pak asiste. I pyetur se pse nuk shërben shumë për shokët, sulmuesi ka theksuar: “Sulmuesi është për të shënuar gola, por unë e di që kam dobësi në asistim dhe po punoj për t’u përmirësuar edhe në këtë drejtim”.

Superiorja dhe e ardhmja

I pyetur se cilat nga skuadra i pëlqen, Kirian Nuabueze ka folur edhe për të ardhmen e tij: “Partizani ka lojtarë që vendosen shumë mirë taktikisht, ndërsa edhe Tirana ka një skuadër mjaft të mirë. Do të zgjidhja këto të dyja. Unë dua të ngjis hapat një nga një dhe të shoh përpara. Do të doja që në fund të sezonit të ndërroj ligë dhe të luaj në një kampionat më të fortë, por për t’ia dalë, duhet të bëj detyrën time te Laçi”.

Idhujt

Në fund, i pyetur se kush janë idhujt në futboll, sulmuesi e ndau kështu opinionin e tij: “Ronaldinho për nivelin shumë të lartë teknik dhe gjithë aftësitë e tij në kontrollin e topit, dhe Samuel Eto’o që është një kampion i lindur, që ka fituar kudo ku ka luajtur.”

E.saliu/Vipsport.al/