Një rast i dhimbshëm, ish-futbollisti i akademisë së Skënderbeut në luftë me sëmundjen e keqe

Ish-futbollisti i akademisë së Skënderbeut, Dorjan Tahirllari është përfshirë në një luftë të ashpër me sëmundjen. 18-vjeçari vuan nga një tumor malinj, teksa edhe pse ka kryer pesë operacione sërish nuk ka mundur të rehabilitohet plotësisht.

Djaloshit në këto moment i duhet ndihmë ekonomike pasi kurimi i tij shkon në shumën e 100 mijë eurove për ta përmbushur të gjithë trajtimin mjekësor. Ndërkohë, Tahirllari në këto moment të vështirë, ia ka dalë të shkruajë edhe një poezi duke përshkruar situatën fatkeqe në të cilën u gjend.

Poezia e Dorjan Tahirllarit:

Një ditë ku asgjë nuk ishte si ditët e tjera,
një ditë ku nuk kishte asgjë brenda saj.
Një ditë që të shurdhonte nga vetmia.
Një ditë ku mërzia dukej e zakonshme.
Një ditë ku dukej sikur dhimbja ishte miku im.
Një ditë ku lulet janë ujitur nga lotët e mi,
ku nëna lutej për shërimin e këtij djali.
Një ditë ku kujtova gjithçka…
Fëmijërinë time, fushën e gjelbërt,shokët e mi…
Një ditë ku lotoja dhe vuaja për ëndërrat, qëllimet dhe motivet e mia…
Kujtoja ditën kur lutesha për to e sot ato luten për mua…
Një ditë ku lutja është tek Zoti…
Dua t’i lutem atij për ëndërrat e mia.
Dua t’i lutem për mua…
Ishte një ditë që më kujtoi gjithë ato ditë…