Një italian në Tiranë, Sormani: Sporti në plan të dytë, por Partizani mori më pak se meritonte

Adolfo Sormani mendon se Partizani i tij meritonte më shumë se sa ka marrë në këto javë ku ai drejtoi të kuqtë në Superiore pas kthimit në drejtimin e të kuqve. Tekniku ka pasur kohën e mjaftueshme këto javë për të riparë paraqitjet e skuadrës së tij, në një periudhë kur sporti ka kaluar plotësisht në plan të dytë.

Në një intervistë per Top Channel, Sormani ka treguar si po përjeton ditët në Tiranë në këtë periudhë të vështirë për të gjithë njerëzimin, ndërsa i fton të gjithë që të bëjnë detyrën si qytetarë e të respektojnë karantinën që të shmangin sa më shpejt këtë rrezik.

Mister si e shihni situatën si një italian që jetoni larg vendit tuaj dhe që për fat të keq Italia është ndër vendet më të prekura nga koronavirusi?
Sigurisht është një moment i veçantë, shumë i vështirë për vendin tonë. Ditët e kaluara kryeministri juaj, Rama, bëri një gjest të madh solidariteti teksa dërgoi 30 mjekë e infermierë në një moment delikat. Numri i të prekurve është shumë i lartë dhe administrimi i situatës ishte i vështirë sidomos për personelin mjekësor.

Ju jeni këtu ndërkohë qe te afërmit e tu janë ne Itali me një situatë të vështirë…
Është e qartë se kjo situatë po jetohet me shumë kujdes. Por edhe sikur të ndodhesha në Itali, nuk do të isha ndihmë. Ky nuk është momenti për të lëvizur, është momenti për të qëndruar në shtëpi, mund të japësh ndihmën vetëm në momentin kur bën detyrën si qytetar.

Ne aspektin njerëzor, çfarë bëni gjithë ditën këtu ne karantinë?
Në aspektin njerëzor, është një moment kur flet me miqtë, me personat që janë larg. Kam pasur fatin të udhëtoj shumë dhe kështu njoh shumë persona nga disa vende të botës dhe në këto momente kur të gjithë janë të përfshirë ka një ndjenjë të fortë solidariteti.

Sa i përket pjesës sportive, çfarë do të thotë kjo ndërprerje në një moment vendimtar të kampionatit?
Edhe mediat në Itali më kanë telefonuar për të më bërë këtë pyetje. Në një situatë të tillë, mendoj se aspekti sportiv duhet të kalojë në plan të dytë. Ka persona që vuajnë e po vdesin në të gjithë botën. Mendoj se të flasësh për futboll është mungesë respekti kundrejt personave që po punojnë për të shpëtuar jetë e për ata që për fat të keq na kanë lënë.

Duke shpresuar që kjo situatë të kalojë sa më shpejt, si e sheh situatën e Partizanit?
Besoj se kur të rifillojë kampionati, skuadra do të ketë shumë stimuj për të marrë rezultatet që meriton. Pasi i ripashë ndeshjet, jam i bindur se kemi marrë më pak nga sa meritonim përsa i përket paraqitjes në fushë.

Një mesazh që ke për lojtaret e tu dhe për protagonistet e tjerë te futbollit?
Në këto momente solidariteti, gjithsecili duhet të bëjë detyrën e tij si qytetar; të qëndrojë në shtëpi dhe të mos vihet në kushtet që mund të shndërrohet në një bartës të virusit. Në këto momente kjo është gjëja më e rëndësishme. /vipsport.al/