Një emer i lakmuar në merkato, Uillian: Me Çelsin nuk flas më, edhe një muaj e mbyll

Sulmuesi brazilian Uillian ka vendosur përfundimisht që t’i japë lamtumirën Çelsit. 31-vjeçari është një nga emrat më të ndjekur në merkaton e futbollistëve duke u bërë një objektiv i klubeve të njohura, pasi ka shfaqur një formë shumë të mirë së fundmi.

Edhe pse anglezët u përpoqën që të rinovonin me të, futbollisti ka bërë të ditur se nuk e mendon më një gjë të tillë, pasi ka shkëputur çdo lloj lidhje me klubin dhe nuk do të negociojë më me të. “Me Çelsin është mbyllur gjithçka. E gjithë bota e di që kontrata ime mbaron pas një muaji dhe rionovimi është shumë i vështirë.  Çelsi më propozoi që të rinovoja për 2 vite por unë kërkoj 3. Nuk kemi folur më që atëherë, nuk ka asnjë negociatë me ta”, deklaroi lojtari.

Skuadra si Barcelona, PSG apo Juventus kanë ndjekur me shumë vëmendje ngjarjet me futbollistin e përfaqësueses së Brazilit dhe janë gati të vihen në lëvizje për të siguruar firmën e tij. “Tani mund të negocioj me çdo klub”, ishin fjalët e Uilian, duke hapur kësisoj ankandin për shërbimet e tij. /vipsport.al/