Një dëmtim i mallkuar, Bakaj i nënshtrohet operacionit dhe mund të ketë mbyllur sezonin

Pritej që në Bjellorusi të kishte një tjetër sezon si protagonist, teksa këtë merkato u transferua te klubi kampion i vendit, Brest. Bëhet fjalë për Elis Bakaj që është ndalur në ndeshjen e tretë me ekipin e ri, pasi në një sfidë të kampionatit pak ditë më parë pësoi një dëmtim i cili u duk i rëndë pasi sulmuesit iu desh të linte fushën e gjelbër me barrel.

Ndërkohë, pas diagnozës është mësuar se ish-futbollisti i Tiranës, ka pësuar një këputje të ligamentit anësor të gjurit dhe e ka të nevojshme ndërhyrjen kirurgjikale.

Një dëmtim i tillë kërkon një kohë të madhe për t’u rikuperuar plotësisht dhe për fatin e keq të Bakaj, sezoni për të edhe mund të jetë mbyllur para kohe. 32-vjeçari po kalonte një formë të shkëlqyer, por tashmë fati e bëri që të ndalej.  /VipSport.al/