Një bisedim live me “Fenomenin”, presidenti i FIFA-s: Luajmë vetëm kur të jemi të sigurt

Futbolli vazhdon të jetë i ndalur dhe ende nuk ka një datë se kur situatë mund të ndryshojë. E gjithë kjo prej koronavirusit, teksa pjesa më e madhe e botës është fokusuar te lufta ndaj këtij virusi vdekjeprurës. Së fundmi, rreth një rikthimi të futbollit ka folur presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino. Në një bisedë livë në Instagram me Ronaldo, “Fenomenin”, Infantino thekson se në këto momente futbolli nuk është prioritet e do të rikthehet vetëm kur të ketë siguri të plotë.

“Sot futbolli nuk është i rëndësishëm aq sa shëndeti. Prioriteti shkon vetëm te shëndeti. Futbolli do të rikthehet kur qeveritë të japin miratimin, deri atëherë duhet të jemi të stopuar. Kjo, edhe sikur të na duhen ende disa muaj.

Askush nuk e ka pritur këtë që ndodhi dhe nuk ishim gati. Fatkeqësisht, po shohim pamje të tmerrshme dhe futbolli nuk mund të jetë prioritet. Shëndeti është i pari dhe derisa rreziku të ekzistojë nuk do të luhet. Mbase në korrik, gusht, por nuk i dihet. Duhet vetëm të jemi të përgatitur kur të marrim miratimin për të filluar. Të qëndrojmë pozitivë”, u shpreh Infantino. /VipSport.al/