Në Shkodër nuk është vetëm futbolli, shumësportëshi i Vllaznisë nis të shpërndajë ndihma

Në disa vite të turbullta ku futbolli nuk është ngritur në nivelet që pritet, sporti shkodran është përfaqësuar me mjaft dinjitet nga shumësportëshi, që ka siguruar trofe në nivel kombëtar e paraqitje të mira ndërkombëtare. Pikërisht shumësportëshi shkodran ka qenë ai që është aktivizuar në këto ditë të vështira për të dhënë shembullin e mirë dhe për të ndihmuar familjet në nevojë në qytetin verior.

Sportistët dhe sportistet e Vllaznisë të shumësportëshit kanë mbledhur një sasi ndihmash ushqimore dhe artikuj të përdorimit të përditshëm, duke i shpërndarë te 50 familje në vështirësi ekonomike të cilat po kalojnë si të gjithë të tjerët krizën e koronavirusit, por pa pasur mundësinë që të sigurojnë jetesën e tyre.

Sportistët u kanë bërë thirrje edhe individëve apo bizneseve në qytetin verior që të ndihmojnë në këtë nismë të tyre, për të përballuar sa më lehtë pasojat e kësaj pandemie e cila përveç rrezikut për shëndetin e njerëzve, ka sjellë probleme financiare dhe të përballimit të jetesës për shumë familje shqiptare. /vipsport.al/