Ndahet nga jeta Radomir Antiç, trajneri që realizoi të pamundurën në historinë e futbollit spanjoll

Klubi i Atletiko Madrid ka dhënë sot lajmin e papritur se është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare trajneri i njohur serb Radomir Antiç, unik në historinë e futbollit spanjoll ku ka drejtuar klubet më të suksesshme dhe ka qenë një nga personazhet më të respektuara. Ai ishte për 17 vite futbollist profesionist, duke qenë ndër të tjera pjesë e Partizanit të Beogradit, Fenerbahçes, Saragozës dhe Luton.

Por ai u bë i njohur më shumë si trajner, ku pjesën më të madhe të karrierës e kaloi në Spanjë, duke shkruar historinë në këtë vend. Ai është i vetmi në histori që ka arritur të drejtojë tre klubet e mëdha spanjolle: Real Madrid, Atletiko Madrid dhe Barcelona. Ai gjithashtu drejtoi Oviedon, Saragozën e Selta Vigon, ndërsa drejtoi edhe përfaqësuesen serbe dhe kishte një periudhë kur drejtoi edhe në Kinë.

Antiç drejtoi Atletiko Madrid në vitin më të suksesshëm të klubit kur fitoi titullin e Kupën në edicionin 1995-1996, ndërsa krijoi një grup me lojtarë të shkëlqyer si Kiko, Kaminero, Santi, Molina e Simeone. “Me ndarjen nga jeta të Radomir, largohet një pjesë e zemrës të klubit”, ishte mesazhi i shefit ekzekutiv të Atletikos, Miguel Angel Gil, i cili bëri të ditur se flamuri i skuadrës do të qëndronte në gjysmështizë në stadiumin Wanda Metropolitano. /vipsport.al/